Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kjo do të jetë java e fundit e zonave me ngjyrë të kuqe dhe kjo fundjavë do të jetë e fundit me ndalim kalimi përtej kufirit të çdo ‘zone të kuqe’”.
“Shqipëria sot, duan, s’duan ta pranojnë disa, është një histori suksesi në mes jo shumë të tjerave, në hartën e kësaj lufte të përbotshme. Do të bëj dhe duhet të bëjmë çmos që rikthimi në normalitet, të mos na kthehet, largqoftë, në një bumerang, por normalizimi do të vazhdojë”, – tha Rama.
Kryeministri theksoi se “të hënën, 1 qershor, do të hapim kopshtet e çerdhet. Do të hapim kufijtë tokësorë të vendit, do të hapim qarkullimin e makinave në të gjithë vendin dhe natyrisht edhe plazhet do të jenë të hapura. Por nuk do të lejojmë asnjë subjekt privat përveç hoteleve, të vendosë çadra e shezlongë pa autorizimin e posaçëm që do të dalë këto ditë, bashkë me formën e aplikimit për subjektet. Detajet të premten, kur të dalë urdhri zyrtar i autoriteteve të Shëndetësisë”, – tha Rama.
Ndërsa u bëri apel qytetarëve për kujdes, Rama tha se “unë dhe kjo qeveri do të vazhdojmë punën ditë-natë, e shumë shpejt do t’ju prezantojmë Planin e Përgjithshëm të Rimëkëmbjes Ekonomike, i cili po merr formë me ambicien që jo vetëm të zhdukim pasojat e kësaj kohe dreqi, por edhe të dalim më të fortë nga kjo vuajtje e paparashikuar kolektive”. /r.e/