“Nga shpella në rrokaqiell, nga huri në armët e shkatërrimit në masë, nga jeta tautologjike e tribusë në erën e globalizimit, trillimet e letërsisë i kanë shumëfishuar përvojat njerëzore, duke penguar që të gjithë, burra dhe gra, të mos biem në gjumë të thellë, të mbyllur në vetvete, të nënshtruar. Asgjë nuk ka mbjellë aq shqetësim, tronditur aq imagjinata dhe ngjallur aq dëshira sa kjo jetë gënjeshtrash që, falë letërsisë, ia shtojmë asaj që kemi, me qëllim për ta njohur aventurën e madhe dhe pasionin e madh që jeta e vërtetë nuk do të na e japë kurrë. Gënjeshtrat e letërsisë bëhen të vërteta përmes nesh, lexuesve të saj, të ndryshuar, të mbushur me dëshira për shkak të trillimit, duke e vënë gjithnjë në çështje realitetin e rëndomtë. Nëpërmjet kësaj magjie që na përkund me iluzionin se kemi diçka që nuk e kemi, se jemi çfarë nuk jemi dhe se hyjmë në atë ekzistencën e pamundur ku, si zotër paganë, ndihemi njëherësh tokësorë dhe të përjetshëm, letërsia fut në mendjet tona jo-konformizmin dhe kryengritjen, të cilat qëndrojnë nga pas të gjitha arritjeve që kanë ndihmuar në pakësimin e dhunës në marrëdhëniet njerëzore. Në pakësimin e dhunës, dhe jo në zhdukjen e saj. Sepse e jona do të jetë gjithmonë, fatmirësisht, një histori e papërfunduar. Ja përse duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë, të lexojmë dhe të shkruajmë, kjo është mënyra më e frytshme që kemi gjetur për ta lehtësuar kushtin tonë prej të vdekshmi, për të ngadhënjyer mbi gërryerjen e kohës dhe për ta bërë të mundshme të pamundshmen”.
Mario Vargas Llosa