Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerësoi veçantë Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Motivacioni i përshkruar nga Presidenti i Republikës numëron disa nga kontributetet e Boldrinit për Shqipërinë dhe popullin shqiptar:
“Për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në çaste të vështira për kombin shqiptar gjatë viteve 1997-1999 si përfaqësuese e UNHCR-së në viset verilindore të Shqipërisë: në Kukës, Has, Tropojë si dhe në Kosovë; për bashkëpunimin e suksesshëm dhe shembullor me autoritetet vendore si dhe ato ndërkombëtare të UNHCR-së, në përballimin e pasojave katastrofike të krizës së të shpërngulurve shqiptarë, të cilët u shpëtuan nga spastrimi etnik i regjimit të Milosheviçit; si dhe për kontributin e çmuar në përparimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës së Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, në mënyrë të veçantë në atë të dimensionit parlamentar, të cilat përfaqësojnë denjësisht modelin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy fqinjëve në brigjet e detit Adriatik dhe Jon”.
Gjatë takimit mes tyre Nishani dhe Boldrini i kushtuan një vëmendje të veçantë edhe krizës së refugjatëve dhe implikimit të saj në politikat dhe sigurinë e Evropës.
Kreu i Shtetit përshëndeti gjithashtu vendimin e marrë mes drejtuesve të të dy parlamenteve për të arritur një marrëveshje ndërinstitucionale për forcimin e bashkëpunimit dhe të koordinimit mes tyre, në funksion edhe të mbështetjes së afrimit sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit me Bashkimin Evropian.