Një i ri vietnamez ka ndërmarrë një nismë ekologjike duke kultivuar pipa prej bari, për të shmangur përdorimin e atyre prej plastike. Nisma ekologjike synon reduktimin e ndotjes nga plastika edhe pse nuk është zgjidhje përfundimtare.
Një sipërmarrës i ri vietnamez ka gjetur një mënyrë ekologjike për të prodhuar pipa për konsumimin e pijeve. Ato prodhohen nga një lloj bari, që kultivohet në rajonin e Mekong Delta, 50 kilometra në perëndim të qytetit Ho Chi Minh.
32-vjeçari, Tran Minh Tien dhe punëtorët e tij që janë zakonisht banorë të zonës, mbledhin barin nga fusha dhe e presin në pjesë 20 cm, përpara se ta thajnë për dy ose tre ditë në ambient të hapur ose në furrë.
“Mendoj se kashta e barit është një zgjidhje shumë e mirë për të zëvendësuar pipat plastike, duke zvogëluar kështu edhe ndikimin e tyre në mjedis”, shprehet Tran Minh Tien, i cili shpjegon se kjo nuk është një zgjidhje përfundimtare pasi bari do kohë për tu kultivuar.
I riu e filloi biznesin e tij në 2017 dhe tani kompania e tij prodhon rreth 3000 pipa kashte në ditë, të cilat normalisht shiten për pak cent, duke I dhënë kompanisë një fitim modest prej 400 dollarë në muaj. Pipat prej bari, sipas Tien, mund të ripërdoren dëri në 6 muaj.
Sipas një studimi të vitit 2015 nga Universiteti i Xhorxhias, Vietnami ka një varësi shumë të dukshme ndaj plastikës dhe është kontribuuesi i katërt më i madh në ndotjen detare në nivel global.