Një lajm i mirë! Patentat shqiptare do të njihen në Bullgari. Tashmë të gjithë shoferë shqiptarë që jetojnë apo që do të udhëtojnë në Bullgari nuk kanë nevojë që të pajisen me leje drejtimi ndërkombëtare.
“Tjetër lajm i mirë për të gjithë bashkëkombasit tanë që jetojnë apo që do të udhëtojnë në Bullgari!
Bazuar në Konventën e Vjenës për Trafikun Rrugor, të cilën Shqipëria dhe Bullgaria e kanë ratifikuar, shtetasit shqiptarë:
-mund të udhëtojnë në Bullgari me lejen e drejtimit shqiptare, pa qenë nevoja e pajisjes me leje drejtimi ndërkombëtare;
-kur kanë një leje qëndrimi në Bullgari mund të udhëtojnë me leje drejtimi shqiptare deri në 1 vit. Pas përfundimit të afatit 1 vjeçar, do të duhet që të bëhet konvertimi i lejes së drejtimit në leje drejtimi bullgare. Konvertimi bëhet pa kaluar testimin teorik apo atë praktik”, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.
Ndërkohë, disa ditë më parë, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Greqi, homologu i tij, Kyriakos Mitsotakis tha se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjellë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek.