Ai thirrej Ebu Hanife (babai i Hanifes), kurse emrin e kishte Numan ibnu Thabit ibnu Zuta. Ai ka lindur vitin e tetëdhjetë hixhri, gjatë jetës së sahabëve të fundit. Është takuar me Enes ibnu Malik (r.a) dhe disa sahabe të tjerë. Ebu Hanife u shqua në fushën e shkencave islame si Fikhu dhe Hadithi, duke u radhitur si një nga katër imamët e mëdhenj të Islamit dhe i përkiste brezit të tabiinëve. Dijetari prej të cilit mori dije Ebu Hanife, ishte Hamad ibnu Sulejman. Profesioni i tij ka qenë tregëtar, gjë e cila e shtyu më shumë në zgjerimin e dijeve në fushën e Jurisprudencës Islame (Fikhut). Personalitetin e tij mund ta njohim më mirë me atë të citimeve të disa personaliteteve që e kanë njohur atë dhe jetën e tij:
“Jam ulur pranë Ebu Hanifes dhe kam dëgjuar prej tij. Pasha Zotin, po ta shihje në fytyrë, e kuptoje menjëherë se ai është një burrë që e ka frikë Zotin.”
–Jahja Kuttan
“Nuk kam parë burrë më të hijshëm teksa jepte mësim dhe as më të matur sesa Ebu Hanife.”
– Ibnu Mubarak
“Nuk ka vënë këmbë në Meke gjer sot ndonjë njeri më namazli se Ebu Hanife.”
–Sufjan ibnu Ujejne
“Nga ajo që mbahet mend, është se Ebu Hanife ka falur sabahun me abdesin e jacisë për dyzet vite. Ai e përfundonte leximin e Kuranit në një rekat të vetëm. Ngashërimet e tij gjatë namazit dëgjoheshin nga komshinjtë, të cilët shprehnin keqardhje. Njerëzit e tij tregojnë, se në vendin ku ndërroi jetë, e ka lexuar Kuranin shtatëdhjetë mijë herë.”
– Esed ibnu Amr
“Kam dëgjuar për Numanin (Ebu Hanifen) fakihun e Kufes, se është shumë i devotshëm, i përkushtuar ndaj fesë dhe dijeve të tij. Ai nuk jepet pas të mirave të dynjasë dhe nuk është neglizhent ndaj punëve të ahiretit.”
– Ibnu Xhurejxh
“Jam takuar me shumë njerëz, por më të devotshëm dhe më të arsyeshëm se Ebu Hanife nuk kam parë.”
–Jezid ibnu Harun
“Ebu Hanife ishte shumë i ndershëm dhe solidarizohej me të gjithë ata, që kishte rreth e rrotull.”
– Ebu Neim Fadl ibnu Dekin
“Ebu Hanife ishte shumë i pasur dhe i ndihmonte të gjithë ata, që kishte përreth.”
– Fudejl ibnu Ijad
Ai dërgonte dhe sillte mall nga Bagdadi. Pasi llogariste të ardhurat, ai blinte ushqime dhe veshje për nevojtarët dhe në fund u jepte edhe të holla, duke u thënë: “Me këto plotësoni nevojat e tjera dhe mos falënderoni askënd përveç Zotit! Unë nuk po u jap nga pasuritë e mia, por nga mirësitë e Zotit, të cilat m`i ka besuar mua.”