Komentimi i ajetit 159 të sures Ali Imran
Një prej tipareve themelore, nëse jo më i rëndësishëm i sistemit islam të organizimit të aktiviteteve sociale dhe nevojë e komunitetit është institucioni i shuras, organit këshillimor, i cili në kuadër të institucioneve të tjera të sistemit islam justifikon në favor të interesave të përbashkëta dhe mbrojtjen e tyre në përputhje me normat e sheriatit dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë.
Konsultimi reciprok ose këshillimi, në nivel personal apo në nivelin e komunitetit, me qëllim arritjen e mirëqenies më të mirë të mundshme duhet të jetë pjesë integrale e jetës sonë, sepse me anë të tij mundësia është më e madhe që të arrihet një mendim apo vendim më i saktë. Allahu i urdhëroi Pejgamberit të Tij, që të konsultohet me shokët e tij në lidhje me faktet të cilat janë subjekt i konsultimeve: “… andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet” (Ali Imran, 159). Konsultimi i ndërsjellë përmban mirësi të shumta të kësaj dhe botës tjetër.
Kuptimi i termit “shura”
Këtu nuk do të hymë në shpjegimin e secilit kuptim etimologjik të fjalës shura dhe derivateve nga rrënja ‘SH-V-R’ e cila fjalë për fjalë do të thotë “shtrydhje e mjaltit nga hualli i bletës.” Do të mjaftonte nëse themi se sipas fjalorit Lisan-l-Arab të Ibn Mandhurit, shura mund të jenë:
1) negocimi, konsultimi, këshillimi (domethënë procesi),
2) subjekt i negociatave ose konsultimit,
3) organ këshillimor,
4) vendimi që është arritur përmes progresit të negociatave.
Përkufizimi i shuras
“Shura është organi më i lartë këshillimor i sistemit islam të qeverisjes, i përbërë nga disa anëtarë të aftë që brenda kufijve të aftësisë njerëzore të vënë në zbatim Sheriatin, në çështjet e brendshme dhe të jashtme të shtetit, e të cilin, sipas ligjit të mirëqenies së përgjithshme, e zgjedh kalifi apo vetë njerëzit.”
Nga përkufizimi i sipërpërmendur pason konkluzioni:
– Shura është vetëm një organ këshillimor, e jo autoritet komandues i pushtetit;
– Shura duhet të jetë e përbërë nga disa anëtarë;
– Anëtarët e shuras duhet të karakterizohen me aftësinë, që nënkupton të pasurit e njohurive nga sheriati, urtësi dhe përvojë;
– Anëtarët e shuras duhet të jenë të drejtë; të mundohen brenda kufijve të përpjekjes njerëzore të paraqesin qëndrimin më të përshtatshëm dhe më të saktë islam rreth çështjes së diskutuar, pa u ndikuar nga subjektiviteti, interesat personale, apo faktorë tjerë të jashtëm;
– Qëllimi i vetëm i shuras është implementimi i ligjit të Allahut xh.sh. në tokë, si në jetën e brendshme të shoqërisë islame, ashtu edhe në raportin e shtetit islam me kombe të tjera;
– Anëtarët e shuras i zgjedh kalifi ose të gjithë myslimanët, në përputhje me interesat e komunitetit.
Shura është e drejtë e pazëvendësueshme dhe e pamohueshme e umetit te kalifët dhe nëse ky nuk e përfill, është arsye e mjaftueshme për shkarkimin e kalifit nga pushteti. Ibn Atijje thotë: “Shura është prej bazave të Sheriatit dhe rregull që duhet përmbajtur. Ai (sundimtari) i cili nuk kërkon këshilla nga dijetarët, zëvendësimi i tij është i obligueshëm – vaxhib.”
Shura në Kur’an
“…andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet” (Ali Imran, 159)
Kur’ani nuk toleron diskriminim ndërmjet njërit dhe besimtarit tjetër, burrave dhe grave, kur është fjala për pjesëmarrjen e tyre të barabartë në jetën e komunitetit. Në harmoni me këtë vizion, Kur’ani ka vendosur parimin e shuras për të udhëhequr komunitetin në procesin e vendimmarrjes. Për fat të keq, gjatë shekujve në mesin e myslimanëve është përhapur një gabim i tmerrshëm në të kuptuarit e natyrës së shuras për shkak të praktikave të gabuara dhe mashtruese nga strukturat të cilat janë të pranuara nga jashtë pa marrë parasysh etikën e Islamit. Kështu, është përhapur bindja e përgjithshme se shura do të thotë se një njeri, sundimtar, konsultohet me njerëz të cilët, sipas tij, kanë urtësinë, pa detyrimin për të kryer këshillën e tyre. Para së gjithash, imazhi i këtillë e rrëzon në tërësi strukturën për të cilën është supozuar shura. Kur’ani i përshkruan besimtarët si “ata që konsultohen mes vete për çështje të përbashkëta (emruhum shura bejenhum).” Shura, pra, nuk do të thotë se një person pyet për këshilla të tjerët, por, më tepër, konsultimi reciprok përmes një diskutimi të përbashkët në baza të barabarta. Kjo drejtpërsëdrejti nënkupton se ekzekutuesi i lartë apo ekzekutivi thjeshtë nuk mund të refuzojë vendimin i cili është arritur me shura-n.
Në komentimin e ajetit të mësipërm, imam Er-Raziu në tefsirin e tij (Mefatihu-l-gajbi/Tefsir Er-Razi) i përmend fjalët e mëposhtme të El-Hasanit dhe Sufjan ibn Ujejnes, duke deklaruar:
“Allahu i urdhëroi atij (shuran), s.a.v.s., me qëllim që edhe të tjerët (domethënë udhëheqësit e myslimanëve) të pasojnë atë në zbatimin e shuras dhe kështu ajo u bë rrugë e qartë e umetit të tij.”
Muhammed Asadi, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Ky imperativ i qartë që nënkupton sundimin dhe këshillimin, duhet të konsiderohet si një prej klauzolave themelore të legjislacionit të tërë kuranor që referohet në qeverisje. Përemri “atyre” i referohet besimtarëve, domethënë në tërë komunitetin, ndërsa fjala “el-emr” që paraqitet në këtë kontekst – si dhe në sintagmën e përmendur emruhum shura bejnehum në 42:38 – nënkupton të gjitha punët me interes publik, duke përfshirë edhe administratën publike. Të gjithë ekspertët bien dakord se imperativi i lartpërmendur, edhe pse kryesisht i adresuar të Dërguarit a.s., është i detyrueshëm për të gjithë myslimanët dhe në të gjitha kohët.”
Ibn Xhuzejj El-Kilbi El-Endalusi, në komentimin e këtij ajeti thotë: “Konsultimi (mushavera) është i urdhëruar me sheriat. I Dërguari i Zotit a.s. konsultohej me njerëzit në çështje të luftës, etj., por jo edhe në aspektin e rregulloreve të sheriatit. Ibn Abbasi ka thënë: “Konsultohej me ta në disa çështje”.
Sejjid Kutubi, në komentimin e këtij ajeti, thotë: “Detyra dhe funksioni i shuras është shkëmbim i mendimeve dhe zgjidhja e një mendimi nga mendime të ofruara. Kur të merret një qëndrim i përgjegjshëm, roli i shuras ndalet dhe fillon periudha e realizimit, realizimi, me qëndrueshmëri dhe vendosmëri, me besim të plotë në Allahun xh.sh., dhe duke i lënë në fund gjërat në caktimin e Allahut dhe vullnetin e Tij.”
Ibn Kethiri, në komentimin e këtij ajeti përmend shembuj praktik të Pejgamberit a.s., të konsultimit me shokët e tij, e që janë të shumtë, siç ishte rasti i Betejës së Bedrit, Uhudit, Betejës kundër aleatëve, marrëveshjes në Hudejbie, dhe situata të tjera. Es-Seadi, në tefsirin e tij, në komentimin e ajetit të lartpërmendur, thotë se na parashtrohet një pyetje logjike:
“Në qoftë se Allahu iu drejtua të Dërguarit të Tij, i cili është me mendim më të plotë, më i dituri, me pikëpamje më të mira, me ‘konsultohu me ta’, atëherë, çfarë është me të tjerët?”
Allahu i Lartësuar, në suren Shura, i përshkroi besim-drejtët me një seri të atributeve, prej të cilave është edhe: “dhe që konsultohen mes vete për çështje të përbashkëta” (Shura, 38).
Në komentimin e këtij ajeti, Es-Seadi në tefsirin e tij thotë: “Konsultohen për çështjet e tyre të kësaj bote dhe botës tjetër dhe asnjëri prej tyre nuk ndahet në mendim për gjërat e tyre të përbashkëta. Dhe kur bien në situatë e cila kërkon konsultim, ata takohen dhe negociojnë, dhe kur u paraqitet mirëqenia, e përfitojnë atë dhe nguten kah ajo”.
Kur Pejgamberi a.s., u pyet se çfarë do të thotë: të konsultohesh me ta (besimtarët) për të gjitha çështjet me rëndësi; dhe kur të vendosni, atëherë mbështetuni tek Allahu xh.sh.? “Kjo tregon se ne duhet të konsultohemi në të gjitha gjërat e rëndësishme, dhe kjo duhet të respektohet.”
Parimi kuranor i shuras, komunikimit, kërkon që në të gjitha fushat dhe në të gjitha nivelet e pjesëtarëve të komunitetit, duhet ftuar që të marrin pjesë, para Zotit, në hartimin dhe zbatimin e vendimeve mbi të cilat varet fati i tyre.
Ky parim, gjithashtu, përjashton despotizmin e një njeriu, një klase ose një partie, si çdo formë e demokracisë statistikore, i cili realizohet përmes delegatëve dhe që është i tjetërsuar nga populli.
Konkluzione
Është i njohur pretendimi se Sheriati nuk përshkruan detajet e as që përcakton procedura të veçanta të procesit politik, por vetëm rregulla të përgjithshme të vlefshme për shuran si dhe për shumë të tjera.
Detajet janë lënë në kompetenca të myslimanëve për t’i zhvilluar ato sipas kërkesave të kohës dhe rrethanave në të cilat ata e gjejnë veten, në dritën e një sërë rregullave të përgjithshme. Për fat të keq, ajo nuk është bërë kurrë në mënyrë të kënaqshme.
Shura, edhe pse konsiderohej nga pothuajse të gjithë dijetarët myslimanë, një nga parimet bazë të organizimit shoqëror dhe politik islam, ajo kurrë nuk është institucionalizuar, dhe shumë rrallë është aplikuar në historinë myslimane.
Autoritetet klasike myslimane rreth shuras kanë diskutuar vetëm kalimthi dhe shpesh duke qenë edhe vetë viktimë e llojeve të ndryshme ekzistuese të qeverisjes së kundërt me parimet e shuras. Sot, myslimanët shkruajnë shumë për shuran, megjithatë, ka mosmarrëveshje substanciale mbi rëndësinë dhe implikimet e këtij koncepti mbi aranzhimet kushtetuese të shtetit islam.
Azmir Jusufi
Literatura e shfrytëzuar:
- AHMETI, Sherif,Kur’an-i përkthim me komentim në gjuhën shqipe, Medinetu-l-Munevvere, Arabia Saudite, 1413. h., 1993.
- ALIBAŠIĆ, Ahmet, Šura, Takvim2000, Sarajevë, 1999.
- ASAD, Muhammed, Poruka Kur’ana, nga anglishtja përktheu: Hilmo Ćerimović, EL-KALEM, Sarajevë, 2004.
- ASAD, Muhammed, Principi islamike države i vlasti, përktheu: Džemaludin Latić, Zagreb, 2006.
- EL-ENDELUSI, Ibn Xhuzejj El-Kilbi, Olakšani komentar Kur’ana, Vëll. 1, Përktheu nga arabishtja: Doc. Dr Almir Fatić, Libris, Sarajevë, 2014.
- ER-RAZI, Fahruddin, Tefsiru Fahri-r-Razi, Vëll. 9., Daru-l-Fikri, 1981.
- GARAUDY, Roger, Islam: vjera, zajednica, svijet (Religija i društvo, përgatiti: dr. Hilmo Neimarlija), FIN, Sarajevë, 2006.
- IBN KETHIR, Tefsiri i Ibn Kethirit(botimi i shkurtuar), Zgjodhi versione më të sakta: Muhammed Nesib er-Rifa’i, grupi i përkthyesve, Sarajevë, 2012.
- KUTUB, Sejjid, U okrilju Kur’ana, Vëll. 4., Sarajevë, 2007.
- ŠAHINOVIĆ, Rifet, „Sura eš-Šura – Dogovaranje“, Takvim 2012, Sarajevë, 2011.