Përcaktimi i identitetit të njeriut

Për të përcaktuar identitetin çdo individ, që në moshë të re, duhet të zgjidhë disa probleme që kanë të bëjnë me aftësinë dhe interesat për të parashikuar apo ndërtuar mënyrën e jetesës. Në këtë kontekst, ai duhet të dijë edhe se çfarë vendi do të zërë në familje e shoqëri e raportet në mes tyre.

Kështu ai duhet të mendojë për vetveten, kush jam unë, duke marrë përgjegjësi në njohjen e tij dhe rolin që do të luajë në jetë. Pra, identiteti fillon e përcaktohet që me formimin e karakterit në moshën shkollore. Marrëdhëniet me shokët e shoqet, me prindërit e rrethin familjar luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e individit.

Edukata familjare e trasuar në jetën shkollore, nën ndikimin e procesit të të mësuarit, si dhe shembullin pozitiv të mësuesit, bën që çdo individ, në çdo situatë që të jetë, të paraqesë unin e tij. Që në këtë moshë çdo person formon identitetin e tij dhe fillon të mendojë e veprojë në harmoni me normat e edukatës moralo-qytetare.

Respekti reciprok në mes moshatarëve pa dallim gjinie si dhe ndaj më të mëdhenjve, e bën njeriun më të përgjegjshëm për jetën e tij individuale. Kjo fillon me kujdesin për paraqitjen e tij të jashtme, me veshjen e deri në konceptimin e llojeve të argëtimit.

Cenimi i të drejtave të tij nga kushdo qoftë dëmton marrëdhëniet, por reagimi me mençuri e dinjitet bën që ai të dallohet në mes të tjerëve me identitetin e formuar. Një djalë apo vajzë e tillë trashëgon një edukatë të shëndoshë nga prindërit e vet e veçanërisht nga nëna që e ka filluar me belbëzimin, të folurit, të ushqyerit, lidhjet e ngushta, komunikimin e lirshëm etj., dhe i ka model gjithë jetën.

Komunikimi i lirshëm me prindërit për problemet e ditës, ç’është e moralshme ose e pamoralshme, e mirë ose e keqe, bën që fëmija në moshën shkollore të arsyetojë drejtë e të reagojë ndaj veprimeve negative në ambientin shoqëror. Marrëdhëniet me të rriturit e ndihmojnë fëmijën që të përshtatet me gjendjen emocionale në shoqëri e të parashikojë jetën në vijimësi.

Në rastet kur hasen individë që përjetojnë strese e ankthe, që përjetojnë vetminë për shkaqe të tronditjes së familjes, i riu ose e reja me identitet të formuar, bëhet faktor në ndihmën e shokëve apo shoqeve për kalimin e kësaj gjendjeje. Detyrimet personale i kryen më së miri, duke i vënë vetes objektiv që të mbarojë jo vetëm arsimin e mesëm, por edhe atë të lartë, për t’u bërë dikushi në jetë dhe çdo gjë ta sigurojë me punën e tij të ndershme.

Puna edukative me brezin e ri sot është shumë e vështirë, sepse përballë rregullit e ligjit ndeshen me një sërë ndryshimesh shoqërore të cilat e joshin atë që në hapat e para pas daljes nga shtëpia. Për këtë si nga familja, ashtu edhe nga institucionet e tjera, kërkohet një mirëkuptim në mes tyre, durim, përkushtim dhe mbështetje nga brezi më i rritur, që identiteti i tyre të marrë përsipër përgjegjësi jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.

Në shoqërinë e sotme ka diferenca të dukshme në nivelin e jetesës së individëve dhe nënvleftësimi i kategorisë së individëve që nuk sigurojnë nivelin minimal të jetesës sjell tek ata stres. Këta individë, kur nuk gjejnë mbështetje e ndiejnë veten në një situatë të pakapërcyeshme. Mungesa e edukatës së besimit tek Zoti dhe mbështetja në ligjet e Tij për forcimin e identitetit të secilit, bën që i riu ose e reja të rrëshqasë e të dorëzohet tek joshja dhe veset negative.

Për të parandaluar këto dukuri duhet ruajtur dhe mbrojtur familja nga krizat që ajo po pëson çdo ditë me shpërbërjen e saj, për të ruajtur brezin e ri, që është e ardhmja e shoqërisë të cilën duam të ndërtojmë. Kjo është domosdoshmëri për kohën që jetojmë. Këtë do ta arrijmë në qoftë se në çdo familje do të ndihet fryma e besimit tek Zoti. Ky është i vetmi burim që sjell paqe e lumturi në jetën e secilit.

Njeriu është qenia më fisnike dhe e ndershme në rruzullin tokësor. Një identitet i tillë, që vë mbi çdo gjë arsyen, do të zgjidhë çdo problem dhe do të vendosë për çdo gjë me vullnetin e tij të lirë. Duke vepruar në këtë mënyrë, ai do të mund të bëjë vepra të shkëlqyera, që ia bëjnë jetën të qetë e të lumtur dhe e bëjnë krenar për vlerat që përfaqëson.

Pin It