“Myslimani i vërtetë është njeriu prej gjuhës dhe dorës së të cilit myslimanët janë të sigurtë.”
Fjala “el-muslim”, e cila në hadith është shprehur me një trajtë të shquar, duket që kërkon të vërë në pah myslimanin ideal dhe të vërtetë. Domethënë, sipas rregullit “përmendja e plotë është ajo që i përgjigjet së përsosurës.”, myslimani i përmendur këtu nuk është njeriu që sillet kështu, apo që flet ashtu, por ai që e pranon dhe e ndjen plotësisht Atë, që i dorëzohet krejtësisht, duke i kryer të gjitha detyrimet e këtij besimi, derisa arrin që ta kthejë në jetë të jetës së tij. Nëse do të na duhej ta shtjellonim disi më tej, sipas kuptimit të tij në fjalor emri veprues “muslim” i buruar prej foljes “esleme”, e cila rrjedh prej rrënjëve “silm” dhe “selamet”, mund ta kuptojmë se përmbajtja semantike e kësaj fjale është “njeri, i cili ia ka dorëzuar vetveten Allahut”, “që të çon në paqe, të fal qetësi shpirtërore, apo që sendërton paqe dhe siguri të ndërsjellë me njerëzit e tjerë përreth”. Nga ky këndvështrim, sa herë që artikulohet fjala “mysliman”, ashtu siç përmbajtja e parë që duhet të vijë ndër mendje duhet të jetë: “Njeri, që i është dorëzuar krejtësisht Zotit, kësodore i kryen me përpikëri dhe delikatesë të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe që bën të mundur atmosferë paqësore dhe mbarëvajtjeje aty ku gjendet”, kuptimi që duhet të vetëkuptohet natyrshëm është se “edhe të tjerët janë të sigurt prej veprimeve të tij, duke e parë atë si një përfaqësues të paqes dhe sigurisë, me pak fjalë njeri i besuar në besën e tij.”