Përmendet një ngjarje e një njeriu të Zotit, i cili çdo natë çohej dhe bënte lutje për disa çështje. Një herë, i erdhi një nxënës për të qëndruar pak ditë pranë tij. Si zakonisht, kur mësuesi u çua për të falur namaz, edhe nxënësit i doli gjumi dhe, edhe ai u angazhua në adhurim. Kur mësuesi përfundoi së faluri, dëgjoi një zë, i cili i thoshte: “Përgjërohu sa të duash, lutja jote nuk do të pranohet”. Këtë zë, edhe pse ishte një shpallje, e dëgjoi edhe nxënësi. Ai u çudit nga kjo, por për shkak të respektit ndaj mësuesit, nuk foli gjë. Natën tjetër mësuesi përsëri u çua dhe filloi të lutej. Sërish u dëgjua i njëjti mesazh, por nxënësi edhe këtë herë u përmbajt. Edhe natën e tretë mësuesi u çua për adhurim dhe edhe nxënësi përsëri e dëgjoi mesazhin që i kishte ardhur mësuesit. Këtë herë, ai nuk duroi dot dhe e pyeti: – Keni marrë të njëjtin mesazh edhe ditën e parë, edhe ditën e dytë, edhe ditën e tretë. Pse nuk hiqni dorë nga kjo lutje?
– Kaq shpejt u frikësove djalosh! Kam njëzet vjet që marr këtë mesazh, por nuk përtoj të lutem, sepse lutja është adhurim, që është puna e robit. Zoti është i adhuruari dhe pranimi apo refuzimi i lutjes është punë e Tij. Ai po bën punën e Tij, e unë timen. Ti mërzitesh kot. Kështu i ishte përgjigjur mësuesi.
Nxënësi vetëm heshti dhe natën tjetër kur të dy u çuan përsëri për të bërë lutje, mësuesi mori shpalljen që atij iu pranuan të gjitha lutjet që kishte bërë gjatë njëzet viteve, sepse doli i suksesshëm në provën e tij. Nga kjo ai i tha nxënësit: – Shiko se çfarë humbjeje do të pësoja, po ta zbatoja këshillën tënde! Pra, ngaqë ai kishte besim te Zoti, e gjeti përfundimisht afrimin me Të.