Dy shokë të ngushtë, nisin një udhëtim nëpër botë. Të gjitha gjërat e nevojshme i kishin vendosur në çantat e tyre të shpinës dhe filluan të udhëtonin me ditë të tëra. Prej çantave të rënda, kur vinte darka ndjheshin shumë të lodhur.
Në një nga netët kishin ngritur një çadër buzë detit dhe duke ëndërruar për një gjumë të rehatshëm pas ditës së lodhëshme që kishin kaluar, befas shohin një dritë që zbret prej qiellit dhe i afrohet djelmoshave. Duke parë njëri-tjetrin në sy të habitur, dëgjojnë një zë i cili u thotë që të mbledhin disa guralecë, t’i vendosnin në çantat e tyre të shpinës dhe t’i mbanin ne kurriz ditën tjetër gjatë udhëtimit të tyre. Zëri i dritës u tha se nëse do vepronin siç u kishte thënë, të nesërmen në darkë do u jepte të dy djelmoshave një lajm që do i gëzonte e një që do i hidhëronte.
Kështu drita dhe zëri zhduken dhe djelmoshat të mërzitur e të inatosur, ngaqë çantat i kishin pasur që më parë të rënda, fillojnë të mbledhin disa guralecë e ti vendosin në çantën e tyre, si me përtesë. Ditën tjetër, përveç rëndesës së mëparshme, ishin të deturuar të mbanin në shpinën e tyre edhe sasinë e guralecave e të udhëtonin gjithë ditën. Vjen darka. Djelmoshat edhe pse të rraskapitur e të përgjumur, ishin në pritje të zërit që kishin dëgjuar një natë më parë. Megjithatë, në horizont nuk po dukej as drita, as zëri, e as mesazhet që do u jepte. Djelmoshat duke menduar se zëri i dritës i mashtroi, inatosen shumë dhe mendojnë që të paktën t’i zbrazin çantat, në mënyrë që të mos i mbanin edhe ditën tjetër në kurriz e të lodheshin përsëri.
Hapin çantat, por ç’të shohin? Të gjithë guralecët ishin shndërruar në diamantë. Në fillim djelmoshat u gëzuan shumë, pastaj u mërzitën, ngaqë nuk kishin mbledhur më shumë guralecë.
Mesazhi: Ajo çfarë keni fituar sot, varet nga guralecët që keni mbajtur mbi shpinë dje. Padyshim dhe suksesi i së nesërmes, do varet nga pesha e guralecëve që po mbani mbi shpinë sot. Nëse nuk doni të mërziteni nesër, punoni shumë sot.