Prodhimet tradicionale shqiptare vlerësohen si një tërheqje e re për zhvillimin e turizmit edhe në zonat më të thella të vendit.
Mjalti i Moravës, arrat e lajthitë e Dibrës, gështenjat e Tropojës por edhe perimet e freskëta të zonës apo të përpunuar prej fermerëve, po pëlqehen gjithnjë e më shumë nga grupet e vogla turistike që vijnë në këto zona.
Fermerët shprehen se këto produkte pëlqehen nga vizitorët, pasi vijnë nga zona shumë të pastra nga pesticidet dhe kanë shije karakateristike të zonës.
Ndërsa për Enver Isufin, një nga profesorët më me emër në Bujqësinë Organike, zhvillimi i prodhimeve tipike tradicionale shqiptare, është i lidhur jo vetëm me të ardhmen e zhvillimit të bujqësisë, turizmit dhe biodiversitetin në Shqipëri, por edhe përmirësimin e ekonomisë fermere .
Fermerët e vegjël në zonat turistike të vendit, si Voskopojë, Valbonë, Theth etj, në pamundësi për tu integruar në tregjet e mëdha urbane, po shtojnë prodhimin e produkteve tradicionale adresuar vizitorëve dhe turistëve bashkë me krijimin e kushteve të vendqëndrimeve turistike (hane), duke rritur kështu të ardhurat financiare për familjet e tyre.
Me mbështetjen e projekteve nga donatorë të ndryshëm, prodhimet tradicionale shqiptare janë prezantuar edhe në shumë panaire ndërkombëtare, duke marrë famë dhe njohje për vlerat e veçanta që bartin.
Ndërsa njësitë vendore, të përfshira tashmë në reformën e re territoriale janë në hapat e parë të përgatitjes së politikave në mbështetje të prodhimeve tradicionale, për ngritjen e tregjeve të organizuara që mbledhin kryesisht prodhimet e bizneseve të vogla familjare dhe garantojnë tregtimin e tyre.
Djathi Mishavina, reçeli i Boronicës etj, një trashëgimi për t’u mbrojtur
Banoret e Kelmendit, në veri të vendit, kanë më shumë se dy dekada që merret me prodhimin e djathit mishavinës. Për vetë mënyrën specifike të prodhimit, ky djath është vetëm për konsum familjar. Ekspertët e huaj dhe shqiptar të fushës, e kanë vlerësuar djathin e mishavisë që prodhohet në Kelmend si nga më të mirët që ekziston në zonën e veriut të vendit, ku është traditë prodhimi i tij.
Boronica bima e famshme kurative dhe shumë e shëndetshme, rritet natyralisht në bjeshkët e Kelmendit, Malësi e Madhe e Tropojë. Tradicionalisht është përdorur gjithmonë si bimë mjekësore, dukeqenë se përdorimi i bimëve ka qenë shumë i përhapur në mjekësinë popullore, por që është aktualisht bima shqiptare më e kërkuar në tregjet e huaja./ATA/