Mbingarkesa, vështirësia dhe gabimet në shkrim, janë vërejtjet e mësuesve, por dhe prindërve për programet e reja të klasës së parë dhe të gjashtë, kryesisht për matematikën. Në mbyllje të procesit të vlerësimit të teksteve nga drejtoritë arsimore, specialistët e Ministrisë kanë dërguar pranë shtëpive botuese propozimet për ndryshime.
Drejtoresha e arsimit parauniveristar Zamira Gjini tregon se për vitin e ri shkollor tekstet do të jenë të përmirësuar. Reforma e teksteve nisi një vit më parë me kurrikulën e klasës së parë dhe të gjashtë. Krahas teksteve me autorë shqiptarë u aplikuan dhe kurrikulat e Oksfordit dhe Kembrixhit për lëndën e matematikës.
Këtë vit programet e reja vijojnë me klasën e 2, të 7 dhe të dhjetë. Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit deklarojnë se shitja e teksteve nis me 1 shtator nga shtëpitë botuese, pranë ambienteve të shkollave apo librarive pranë tyre. Ndërsa në 13 shtator është caktuar data nisjes së procesit mësimor.