Qendra e Bashkuar Operacionale e Forcave të Armatosura pranë Ministrisë së Mbrojtjes ka përcjellë për mediat, situatën aktuale në vend të shkaktuar nga moti i keq.
Gjatë ditës së sotme mbi vendin tonë ka mbizotëruar mot i vranët.
Në zonën veriore të vendit ka pasur reshje shiu të përziera me dëborë të herë pas hershme në kuotën 0 metër. Reshje të herë pas hershme dëbore me intensitet mesatar dhe të lartë. Në zonën qendrore të vendit, intensiteti i reshjeve të herë pas hershme të dëborës do të vijë rënie pas mesdites, për tu riaktivizuar në mbrëmje. Në zonën jugore të vendit prej mesditës reshjet do të jenë me intensitet të dobët dhe mesatar. Reshje të herë pas hershme dëbore në jug-juglindje.
Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -9°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C. Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në 0°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C. Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në 3°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 7°C.
Sakaq, gjatë ditës së nesërme mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i vranët. Për shkak të temperaturave të ulta reshjet kryesisht do të jenë në formën e dëborës në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar zonat bregdetare në jug dhe qendër të vendit. Reshjet e dëborës do të jenë të herë pas hershme me intensitet të dobët deri mesatar. Në orët e mesditës në zonat ku temperatura kalon 2 gradë reshjet kthehen në formën e llohës së dëborës dhe shiut. Temperaturat në vlerat minimale në vlera negative në pjesën më të madhe të territorit. Në zonat malore temperaturat nuk dalin nga vlerat negative.
Situata aktuale:
Qarku Shkodër: Aksi rrugor Shkodër-Theth është i bllokuar në Qafë Thore pasi ka rreth 2.5 m dëbore.
Aksi rrugor Shkodër-Breg Lumi, tek “Mali i Shoshit” ka rreth 35 cm dëborë. Ky aks rrugor është i kalueshëm me zinxhirë vetëm nga mjete të larta. Nuk ka energji elektrike në fshatrat Pult, Shosh, si rezultat i këputjes së linjave elektrike nga era e fortë.
Bashkia Vau Dejës: Akset rrugore janë të kalueshme pa probleme. Bashkia Pukë: Ka rreth 5 cm dëborë dhe kjo sasi dëborë është e bartur për shkak të erës së fortë, por nuk ka krijuar probleme në territorin e kësaj bashkie.
Bashkia Pukë: Ka rreth 5 cm dëborë dhe kjo sasi dëborë është e bartur për shkak të erës së fortë, por nuk ka krijuar probleme në territorin e kësaj bashkie.
Bashkia Fushë-Arrëz: Vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet mesatar dhe trashësia e saj në Qafë-Mali dhe Qafë-Shllak është rreth 40 cm. Aksi rrugor rural Fushë Arrëz-Iballë është i bllokuar në vendin e quajtur “Laku i Ballshit”, ku ka rreth 40 cm dëborë. Ky aks është i kalueshëm me vështirësi. Deri tani akset e tjera rrugore janë të kalueshme me zinxhirë. Vazhdon puna me dy borëpastruese në segmentet rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak. Nuk ka probleme me furnizimin me energji elektrike.
Bashkia Malësi e Madhe: Aksi rrugor Qafa e Bordolecit-Vermosh ka rreth 40 cm dëborë dhe kalimi i automjeteve bëhet me zinxhirë. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, ndërsa i pa kalueshëm është segmenti Bogë-Qafë Thore. Aksi rrugor Koplik-Hot është i kalueshëm pasi po punon firma “Geci”, e cila ka marrë të gjitha masat për mirëmbajtjen e tij.
Aksi rrugor Tamarë-Qafa e Bordolecit-Vermosh është i kalueshëm dhe po mirëmbahet nga bashkia me mjetet e saj. Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor varjon nga 10-30 cm. Aksi rrugor Koplik-Dedaj-Razëm është i kalueshëm dhe po mirëmbahet nga forcat dhe mjete e firmës “Abazi”. Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor është rreth 20cm. Aksi rrugor Dedaj-Bogë është i hapur dhe po mirëmbahet nga bashkia. Trashësia e dëborës në këtë aks rrugor është rreth 20 cm.
Në të gjithë territorin kodrinor/fushor edhe rrugët rurale janë të hapura. Trashësia e dëborës është 2-3 cm dhe deri tani nuk ka asnjë problematikë për komunitetin.
Në segmentet rrugore Qafë Bene-Rrëshen dhe Qafë Mali-Fierzë reshjet e dëborës janë më intensive, por pastrimi i tyre bëhet në mënyrë të vazhdueshme nga borëpastrueset, pasi dhe kryhet edhe hedhja e kripës në rrugë për të mos lejuar ngrirjen e saj. Nga Institucioni i Prefektit po vazhdon të monitorohet situata dhe po bashkëpunohet intensivisht me strukturat e KESH, Drejtorinë Rajonale të Kullimit, DBUMK, Autoritetin Verior, strukturat e policisë dhe ushtrisë, për mbajtjen nën kontroll të situatës për mirëmenaxhimin e situatave të pritshme.
Qarku Kukës: Ka pasur dje dhe gjatë natës reshje të dëborës me intensitet mesatar në zonat urbane dhe rurale. Aktualisht, kanë filluar reshje të dëborës me intensitet mesatar. Rruga e Kombit qarkullohet pa zinxhirë. Akset e tjera rrugore nacionale qarkullohen pjesërisht me zinxhirë. Akset rrugore rurale janë të qarkullueshme me vështirësi me zinxhirë. Subjektet kontraktore po punojnë me të gjithë forcat dhe mjetet për pastrimin e dëborës në rrugë dhe për hedhjen e kripës. Trashësia e dëborës: Tuneli i Kalimashit 35 cm, Valbonë 20 cm, Qafë Shllak 80 cm, Qafë Tobli 20 cm, Qafë Luzhë 15 cm. Në qytete ka deri 5-10 cm borë.
Qarku Dibër: Reshjet e dëborës në qendrat e qyteteve Peshkopi, Bulqizë (në rrugët e tyre ka prani të ngricave), vazhdojnë me intensitet të ulët deri mesatar, me prani dëbore rreth 10-12 cm, ndërsa në zonat rurale vazhdojnë reshjet e dëborës me intensitet mesatar dhe të lartë, ku ka prani dëbore rreth 15-30 cm.
Akset rrugore nacionale në të gjithë qarkun janë të qarkullueshme, si: Qafa e Buallit-Peshkopi dhe Peshkopi-Kala e Dodës. Segmenti rrugor nacional Peshkopi-Kala e Dodës është i kalueshëm. Në këtë segment rrugor ka prani rreth 15-20 cm dëborë, por nuk raportohen probleme në qarkullimin e automjeteve. Problem përbën vetëm segmenti i rrugës nacionale Ura e Çerenecit-Steblevë, ku ka prani dëbore rreth 30 cm. Ky segment rrugor është i kalueshëm pjesërisht me zinxhirë. Po punohet nga firma kontraktore me mjete fadroma, si dhe duke hedhur kripë në rrugë, për të mbajtur këtë segment të kalueshëm.
Në njësitë administrative të bashkisë Bulqizë si: Ostren, Trebisht, Martanesh, dhe dy fshatra të njësisë administrative Zerqan, ka prani dëbore rreth 20 cm, por rrugët rurale janë të kalueshme. Priten probleme me shkollat 9-vjeçare si Lenë, Ndërfushë, Peshk, të njësis administrative Martanesh, si dhe në njësinë administrative Ostren, në fshatrat Ostren i Vogël, Tuçep, Oxhornovë, Lejçan e Kojovec, si dhe në fshatin Tërnove e Madhe të njësisë administrative Zerqan. Në bashkinë Dibër, rrugët rurale janë të kalueshme. Në njësinë administrative Selishtë ka prani dëbore mbi 20 cm, por rrugët e brendshme që lidhen me qendrën administrative janë të kalueshme. E bllokuar është rruga rurale Peshkopi-Lurë, ku trashësia e dëborës arrin mbi 30 cm, por qarkullimi nga kjo njësi administrative bëhet nga aksi rrugor Lurë-Rrëshen. Në bashkinë Klos, në njësinë administrative Xibër, rrugët e brendshme janë të kalueshme. Vazhdojnë reshjet e dëborës dhe ka prani të saj rreth 15 cm. Në bashkinë Mat, në njësinë administrative Macukull, rrugët rurale janë të kalueshme. Vazhdojnë reshjet e dëbores dhe ka prani të saj rreth 15-20 cm.
Qarku Lezhë: Në bashkinë Lezhë dhe Kurbin ka pasur reshje me intensitet të dobët dhe mesatar, të shoqëruara me erë të fortë. Nga reshjet nuk kemi probleme për përmbytje në infrastrukturë dhe në tokat bujqësore. Niveli i ujit në lumenj, kolektorët dhe kanalet kullues, është në kuota normale. Hidrovorët janë në gatishmëri dhe furnizohen normalisht me energji elektrike dhe ata punojnë për të evakuar ujrat. Kemi reshje të dëborës në lartësitë mbi 200 metër. Në teritorin e bashkisë Lezhë ka rreth 5-15 cm, por pa probleme për qarkullimin e automjeteve. Në bashkinë Mirditë ka reshje të dëborës në lartësitë mbi 200 metër me rreth 5-10 cm dëborë, por pa probleme për komunitetin. Sasia më e madhe e dëborës në rreth 20-50 cm, ka rënë në zonat e thella të bashkisë Mirditë, në lartësitë mbi 800 metër, ku ka dhe bllokime të rrugëve, konkretisht: Në njësinë administrative Fan, në fshatrat Thirrë, Dardhë, Xhuxhë, Lari, Hebe. Në njësinë administrative Orosh, në fshatrat Lajthizë, Ndërshen, Nënshejt, Gryg Orosh, Bulshar. Në qytetet Lezhë, Kurbin dhe Mirditë, nuk ka reshje të dëborës. Akset rrugore nacionale, Rrëshen-Shpal-Pukë, Rrëshen-Kurbenesh, janë të kalueshme dhe pa probleme, si dhe po hidhet kripë në disa segmete të tyre. Segmenti rrugor Rrëshen-Tuneli Kalimashit i Rrugës së Kombit ka rreth 15-20 cm dëborë dhe është i kalueshëm pa probleme. Firma kontraktore punon me 4 mjete për të siguruar kalueshmërinë normale në rrugë. Në akset rrugore ka prezencë ngricash për shkak të temperaturave të ulta. Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike. Drejtoria e Policisë Vendore është në krye të detyrës për monitorimin dhe drejtimin e qarkullimit rrugor, si dhe ka ardhur në ndihmë të komunitetit për çdo problem që paraqitet.
Qarku Elbasan: Ka pasur dje reshje bore në zonat malore. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të qarkullueshëm pa probleme. Aksi rrugor nacional Librazhd-Steblevë është bllokuar në segmentin rrugor Kthesa e Lunikut-Steblevë pasi ka rreth 50 cm borë. Aksi rrugor Elbasan-Prrenjas-Qafë Thanë qarkullohet normalisht pa zinxhirë.
Qarku Korçë: Në qark reshjet e shiut dhe të dëborës kanë qenë me intensitet të ulët dhe mesatar. Trashësia e dëborës në zonat urbane si: Korçë dhe Pogradec ka arritur rreth 4-5 cm, ndërsa në Ersekë dhe Bilisht ka rënë rreth 1-2 cm. Trashësia e dëborës në të gjithë akset rrugore nacionale është rreth 20 cm, ndërsa në zonat malore është rreth 25-30 cm. Në disa zona si: Kulat e Gjergjevicës, Dardhë, Arzë ,Velçan dhe Trebinjë, trashësia e dëborës është rreth 50-60 cm. Gjendja e akseve rrugore nacionale deri në këto momente është si më poshtë: Aksi rrugor nacional Qafë Thanë-Qafë Plloçë-Dogana Kapshticë është i kalueshëm pa zinxhira. Po vazhdon puna për kriposjen e të gjithë aksit. Aksi rrugor Korçë-Boboshticë-Dardhë për momentin është i bllokuar si rezultat i reshjeve të dendura dhe erës së fortë. Aksi rrugor Korçë-Voskopojë kalohet me zinxhirë. Aksi rrugor Korçë-Liqenas-Dogana Goricë kalohet me zinxhirë. Aksi rrugor Korçë-Ersekë, Ersekë-Çarshovë kalohet me zinxhirë. Në të gjithë akset rrugore firmat kontraktore po punojnë për hapjen, pastrimin dhe kriposjen e tyre.
Qarku Vlorë: Gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje shiu, ndërsa gjatë natës ka pasur reshje dëbore në Qafën e Llogarasë dhe në zonat malore në lartësitë mbi 1000 metër. Në Qafën e Llogarasë kanë rënë gjetë natës reshje dëbore dhe është i kalueshëm me zinxhirë. Firma “Salilari” ka punuar gjatë natës me dy borëpastruese por nuk ka mundur të përballojë reshjet e dëborës që janë shoqëruar edhe me erë dhe temperatura të ulta. /ATA/