Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë do të jetë në dorë të njërës prej agjencive më prestigjoze në këtë fushë. Bëhet fjalë për Agjencinë Britanike të Sigurimit të Cilësisë, e njëjta që bën akreditimin institucioneve të arsimit të lartë edhe në Mbretërinë e Bashkuara.
Qeveria shqiptare nënshkroi një kontratë me këtë agjenci, ku merrnin pjesë përfaqësues të agjencisë, kryeministri Rama, ministrja e Arsimit, Nikolla, si dhe ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Cannon.
Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, kryeministri Rama iu referua një dhënieje të ish-kryeministri britanik, Gordon Broën për nevojën e një arsimi cilësor në Shqipëri.
“Arsimi është politika më e mirë eknomike do të deklaronte Gordon Broën dhe ne e kemi konsideruar reformën si domosdoshmëri të cilës për vite të tëra, qeveritë në të shkuarën i ishin shmangur në mënyrë fatale për gjeneratën e re”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se agjencia britanike do të mundësojë për të patur një pasqyrë vlerësimi dhe cilësie për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, qofshin ato të financuara nga shteti, qoftë nga privati.
Nga ana e tij, ambasadori britanik zgjodhi gjuhën shqipë për të përcjellë mesazhin e tij. “Unë jam i lumtur që është zgjedhur agjencia që bën vlerësimet edhe në vendin tonë dhe shpreh mbështetjen e vazhdueshme timen si ambasador dhe atë të Këshillit Britanik në Tiranë”, tha ai.