Shpirti i tij lëshoi në qiellin e Mekës një rreze: Hixhreti…

Profeti e zbuloi të vërtetën në një natë të ëmbël, në mes të ajrit të lehtë të Hirasë dhe në mes të rrezeve të Hënës që varen si shtizë për të thurur kurorën e lavdisë së tij… Profeti dëgjoi zërin e së vërtetës, atë zë që pat dëgjuar dikur, edhe Ibrahimi, Musai dhe Isai (paqja e Zotit qoftë mbi ta!), dhe këtë deshi t’ia përçojë botës mbarë. Por fjala e tij gjeti pak veshë në fillim, u kufizua, pasi një botë e tërë pa tek ai një njeri të rrezikshëm që kërkonte të luftonte traditat dhe zakonet që, sipas mendjes së tyre, ishin të paluajtshme si ligjet e natyrës.

Jemi në ditët e para të Islamit, në periudhën mekase, periudhë plot vuajtje, sakrifica, mundime dhe mjerime. Zemra e Profetit fryhet përditë për të shpërthyer më vonë si vullkan. Të paktë janë shokët e tij… sa mund të numërohen me gishtërinjtë e dorës, por të gjithë rrojnë me shpirtin e fjalës së Allahut dhe të profetit të Tij. Të gjithë i kanë hedhur sytë te buzët e Muhamedit duke e ditur se ajo buzë nuk gënjen… pasi është ajo vetë që pak më parë përshpëriti këtë verset: ‘’Profeti nuk flet nga dëshira e tij. Ajo që ai flet është vahj (revelatë) që i shpallet atij’’.

Dhe ja me të vërtetë një ditë të dy buzët e Profetit luajtën… Shpirti i tij lëshoi në qiellin e Mekës një rreze: Hixhret… emigrim… shpërngulje. Kjo qe fjala e tij dhe besnikët e dëgjuan. Do ta linin medoemos vendlindjen e tyre aq të dashur. Fjala e profetit nuk është një fantazi e tepruar… Muhamedi thotë atë që e dëgjon nga thellësia e shpirtit të tij.

Prandaj filluan një nga një të linin Mekën për të hyrë në Medine, duke lënë pas në Mekë vetëm Profetin dhe dy shokët e tij: Ebu Bekrin dhe Aliun, luanin e Allahut. Po edhe këta do të niseshin.

Kështu në një mëngjes të bukur, ashtu siç janë mëngjeset e shkretëtirës, profeti i Zotit bashkë me shokun e tij të sinqertë, Ebu Bekrin i la për një kohë lamtumirën Mekës. Dy pika lot derdh profeti i Islamit: loti i parë është lot gëzimi që shënon triumfin e Fjalës së Vërtetë… Këtë e ndjen qysh tani… Loti i dytë është ai që rrjedh nga syri i çdo krijese që hyn në përkufizimin e logjikës, dua të them është loti që duhet të derdhë ai që është bir njeriu. Është loti që shfaq një shpirt i stërmunduar që po ndahet nga vendi i lindjes së tij. Është loti që vadit kujtimet djaloshare të ditëve të një të riu që sakrifikoi zemrën e Hatixhes. Muhamedi a.s. derdh dy pika lot dhe vë këmbën e bekuar në rërën e shkretëtirës…

I duhet të udhëtojnë me ditë nën diellin e nxehtë që të rrjep zhapën e kokës. Kur largohen nga Meka e ndjejnë veten se janë të lodhur… Prandaj hyjnë në shpellën e Theurit… Dy shpella qëndrojnë në frontin e Historisë së Islamit: Shpella e Hirasë dhe ajo e Theurit. Në heshtjen e Hirasë u dëgjua fjala e Allahut… Në Theur u bënë planet për triumfin e kësaj fjale…Në Hira rrahu zemra… Në Theur vetëtiti mendja… Në të parën punoi shpirti i gjerë i Profetit dhe në dytën punoi mendja, gjykimi…

Që të dy rrinë për tri ditë në Theur… heshtje dhe asgjë tjetër… Profeti rrallë… por një fjalë e tij del nga shpirti dhe përhapet rrathë-rrathë në kozmosin e pafund… Dy vija lotësh që bien në fytyrën e Ebu Bekrit tregojnë se diçka nga jashtë kërkon të hyjë në shpellën e misterit… Dëgjohen patkonj kuajsh që shkelin shkëmbinj… Rrënqethje shpirti i shtohen Sidikut, se jeta e Resulit të Zotit është në rrezik… Do ngushëlluar tashti Sidiku… (La tahzen inall-llahe meana – Mos u mërzit se Allahu është me ne) qe ngushëllimi që i bëri Profeti shokut të tij.

Në një pasdreke të nxehtë, profeti i Zotit bashkë me besnikun e tij, hyjnë në Medine, e cila këtej e tutje do të quhet Medinetun-Nebi (Qyteti i Profetit).

 

-Vexhi I. Buharaja

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It