Qeveria miraton sot shpalljen ditë zie kombëtare të kësaj të mërkure që vjen me një bilanc tragjik jetësh të humbura për shkak të tërmetit të fuqishëm që goditi vendin mëngjesin e djeshëm. Kryeministri Edi Rama njoftoi marrjen e vendimit në mbledhjen e qeverisë të thirrur për të bërë bilancin e situatës së pas tërmetit, prej të cilt janë konfirmuar deri tani 24 viktima.
“Sot, qeveria do të miratojë vendimin për ditën e zisë kombëtare dhe duhet të shpjegoj se kjo ditë duke qenë se pararend dy ditët e festave kombëtare 28 dhe 29 na e ka bërë të pamundur që të ishte më shumë sesa një ditë zie. Duhet të ishin tre ditë zie kombëtare duke pasur parasysh përmasën e jashtëzakonshme të kësaj tragjedie që ka marrë 24 jetë njerëzish, një bilanc që sipas të gjitha gjasave nuk do mbetet me kaq. Kjo na e ka pamundësuar të vendosim flamurin kombëtar në gjysmështizë në 28 e 29 nëntor sikundër është normë ndërkombëtarisht e afirmuar se asnjëherë në ditët kombëtare të vendeve nuk mund të ketë zi”, theksoi ai.
Kjo, sipas tij, pasi janë ditë që kanë brenda kujtime të lidhura me jetë të dhëna për atdheun, por është e mirëkuptueshme që në këto rrethana dy ditët më të rëndësishme të kalendarit të vendit tonë 28 29 nëntor nuk mund të jenë ditë me përmbajtje festive.
“Me gjthë solemnitetin e nevojshëm dhe domosdoshmërinë për të mos e shkëputur vëmendjen nga situata aktuale, ditët meritojnë të shihen e të përjetohen si dy ditë solidariteti kombëtar ku respekti për të shkuarën që ato mishërojnë të njehsohet me kontributn e gjithkujt që ka në zemër nevojën për të kotribuar në lehtësimin e të plagëve të mëdha që ka hapur kjo tragjedi”, tha kryeministri Rama.