Një i urtë shkoi te një dijetari moçëm dhe i bëri këto pyetje, për çka mori këto përgjigje të sakta me përjashtim të njërës:
-Kush është i pari dhe i fundit në këtë botë?
-Zoti, sepse është i përgjithmonshëm.
-Cila është më e bukur se të gjitha?
-Gjithësia, sepse kjo është vepra-pasqyrë e Zotit.
-Çka është më e madhja e të tërave?
-Hapësira, sepse përmbledh çdo send të krijuar.
-Cila është më e qëndrueshme në botë?
-Shpresa, se kjo mbetet me njeriun edhe pasi ai të ketë humbur çdo gjë tjetër.
-Ç’është më e mira e të krejtave?
-Virtyti, se pa të s’ka gjë të mirë.
-Ç’është më e shpejtë se të gjitha?
-Mendja, se në më pak se një minutë mund të shkojë në fund të gjithësisë.
-Cila është më e fortë se çdo gjë tjetër?
-Nevoja, e cila e bën njeriun të përballojë tërë rreziqet e jetës.
-Çka është më e lehtë se të gjitha?
-Të dhënit këshilla.
Kur erdhi tek pyetja e fundit, i dituri i dha një përgjigje, që sigurisht vetë nuk e kuptonte dhe se gjithë njerëzit materialistë s’mund t’i japin veçse një kuptim të sipërfaqshëm. Pyetja ishte:
-Çka është më e vështira e të gjithave?
Dhe përgjigja ishte: -Të njohim veten!
Shkëputur nga revista “Drita Islame”