Teatri Metropol çel sezonin me gjallërinë e artdashësve të vegjël

Rikthehet për artdashësit e vegjël, një prej shfaqjeve të tyre të preferuara “Miushet e shkathëta”, në Teatrin Metropol.

Sikurse të gjitha shfaqjet për fëmijë të Teatrit Metropol, edhe “Miushet e shkathëta” përveç platformës edukuese, janë shfaqje interaktive, ku publiku i vogël është pjesë e rëndësishme e skenës.

Kjo vepër vjen në skenë nga regjisorja Elona Hyseni, ku interpretojnë aktoret Klesta Shero dhe Sara Koçi.

“Miushet e shkathëta”, është premiera më e re për fëmijë në Teatrin Metropol. Një vepër e autoreve Janet Stanford, Kathryn Chase Bryer, e cila tregon historinë e dy miusheve aventuriere, Neli dhe Emilia të cilat jetojnë në një papafingo.

Miushet nuk dalin asnjëhere nga papafingo dhe kësisoj kanë mbetur pa ngrënë. Por, gjithashtu të kërkosh ushqim jashtë, për to është e rrezishme. Megjithatë të qenurit të varfër nuk i pengon këto miushe t’i mbushin zemrat plot me gëzim dhe të ndërtojnë realitetin që i bën të lumtura.

Neli mendon se hëna është prej djathi dhe kjo ide i bën këto miushe të marrin vendimin për të shkuar në hënë duke nisur kështu një aventure argëtuese plot fantazi. Më në fund ia dalin të shkojnë në hënë dhe aty zbulojnë se ajo nuk është prej djathi. Hëna iu tregon se rrugëtimi i tyre ia vlejti, duke zbuluar tek to se sa zemër mira, trime dhe të shkatheta janë këto miushe të bukura.

Pas kthimit, Neli dhe Emilia gjejnë në shtëpi një kotele të vogël dhe e ndihmojnë për tu bashkuar me nënën e saj. Pikërisht, në atë moment hyn një copë djathë në folenë e tyre, nëna mace ua dhuroi në shenjë falenderimi.

Imagjinata dhe dëshira për t’i mbushur stomakët plot, e kthen këtë udhëtim në një sfidë të jashtëzakonshme, ku me shumë përpjekje, në vrimën e tyre ato ndërtojne një makinë fluturuese, një varkë, etj. Gjatë këtij udhëtimi takojnë miq si nusepashka,ylli i detit dhe i ndihmojnë të bashkohen me fëmijët e tyre.

Është një shfaqje shumë mbreslënëse ku fëmijëve ju bën me dije se ku ka dashuri, ka jetë. Herët a vonë, për të gjithë vjen një kohë e bukur për të prekur yjet. Varfëria mund të jetë një sfidë e trupit por jo një sëmundje e shpirtit” shprehet regjisorja.

“Miushet e shkathëta” është një shfaqje për fëmijë të grupmoshës 2- 8 vjeç dhe do të shfaqet për dy fundjava, të shtunë e të diel, në Teatrin Metropol, ora 11:00 në këto data 15,16, 21, 22 shtator. /ATA/

 

 

Pin It