Edhe pas tërmetit të fuqishëm toka në Italinë Qendrore vijon të dridhet, duke i bërë banorët të ndihen vazhdimisht të pasigurtë. Gjatë natës u regjistruan plot 114 lëkundje, prej të cilave më e forta ishte me magnitudë 4.2 në provincën e Norcias.
Rreth 40 mijë persona janë shpërngulur nga banesat dhe numri i të pastrehëve shkon në më shumë se 2000 vetë. Zyra e mbrojtjes civile informon se numri i të pastrehëve pritet të shkojë tek 100 mijë persona.
Të dielën kryeministri Renzi premtoi se çdo gjë do të rindërtohet, shtëpitë, kishat, qendrat tregtare. Ndërkohë pritet edhe mbledhja e qeverisë e cila do të bëjë bilancin e tërmetit dhe masat që duhen marrë.
Fatmirësisht nga tërmetet e fundit nuk ka patur viktima, vetëm 20 të plagosur. Por dëmet materiale janë të mëdha dhe në qyteza të tëra tashmë nuk ka më asnjë ndërtesë në këmbë, madje sipas ekspertëve në Italinë Qendrore nuk ka më qytete historike.