I dërguari i Zotit ishte një njeri me një modesti të jashtëzakonshme. A nuk është modestia simboli i madhështisë të të mëdhenjve, sikur është mburrja e vetëpëlqimi simbol vogëlsie te të vegjlit? Ai rritej në raport të modestisë së tij. Ai ishte madhështor, ndaj dhe ishte modest. “Zoti lartëson atë që sillet modest dhe e rrëzon atë që mburret!” [Mexhmauz Zevaid 10/325; Kenzul Ummal 3/113] urdhëronte e thoshte dhe këtë e tregonte së pari me mënyrën e vet të jetesës. Gjithkush shihte modestinë e tij të pacak, e kuptonte kështu se ç’ishte madhështia.
Gjithmonë, Allahu ruan një fund të dhimbshëm për mburravecët e prepotentët. Kurse të thjeshtin, modestin që vë fytyrën mbi tokë, Allahu gjithmonë e lartëson. Ja Musai, ja Isai, ja Ibrahimi dhe ja i Përzgjedhuri, profeti Muhamed… Thjeshtësia te ai ishte në thellësi marramendëse. Ditë e natë ai adhuron Allahun, e adhuron dhe nga ana tjetër ruan vendosmërinë në rrugën e drejtë dhe masën e drejtpeshimin në gjithçka. Ai urdhëron kështu: “Mos u ndani nga e drejta, ruani masën dhe drejtpeshimin në çdo gjë dhe afrohuni ashtu te e drejta!”[Buhari, Iman, 29; Muslim, Munafikin, 78] Edhe në adhurim madje, rruga e profetit ishte e mesmja e artë, as teprimi dhe as mangësia.
Ai ishte njeriu i më të mirës së mundshme dhe i vendosmërisë në rrugë të drejtë. A nuk është rruga e drejtë ajo që çdo besimtar i kërkon Zotit pesë herë në ditë në namazet e veta? Ajo rrugë, që është rruga e Profetëve, e besnikëve dhe e dëshmorëve. Kushdo që dëshiron të jetë bashkë me ta në botën e përtejme, duhet që në këtë botë të ecë në rrugën që ecën ata. Në shpirtin e besimit qëndron lehtësia. Kushdo që mundohet ta vështirësojë atë, dorëzohet vetë i pari, duke e sjellë besimin në një pirg përgjegjësish të papërballueshme. Kurse besimi i përjetuar në rrethin e rrugës të drejtë optimale, është lehtësia vetë. Kjo temë preket në një hadith të shenjtë tjetër, ku profeti urdhëron kështu: “Padyshim që kjo fe është lehtësi. Kushdo që e vështirëson, do të mundet para besimit”. [Buhari, Iman, 29; Nesai, Iman, 28; Musned, 4/422]