Për një administrues dhe udhëheqës ekzistojnë disa veçori të rëndësishme, një pjesë të të cilave mund t’i radhisim kështu:
- Asnjë nga mesazhet e paraqitura nga udhëheqësi nuk duhet të bien në kundërshtim me jetën: ai vetë duhet të jetë i sigurtë mbi vlefshmërinë e tyre për çastin, edhe për të ardhmen.
Ashtu siç njeriu që e sheh me sytë e vet një ngjarje dhe pastaj e tregon atë pa u drojtur e pa u lëkundur aspak, pa pasur frikë se mos e përgënjeshtrojnë, sepse është i sigurtë për çfarë thotë, pasi i ka parë me sytë e vet, ashtu dhe udhëheqësi duhet të jetë po aq i sigurtë për mesazhet që paraqet dhe propozon, dhe duhet të besojë në drejtësinë e tyre më me vendosmëri sesa për një ngjarje, që e ka parë me sytë e vet! Ndërkaq, për suksesin e tij kjo është e pamjaftueshme; mesazhet e tij nuk duhet të bien në kundërshtim me jetën. Kjo do të thotë që mesazhet e tij duhet të përputhen me ligjet e jetës dhe të mos pengohen nga rrjedhat e saj, përkundrazi, të kenë aftësinë për të përfituar prej tyre.
- Udhëheqësi duhet të jetë këmbëngulës në kumtimin e mesazheve dhe çështjes së tij. Veçanërisht ai duhet t’ia kushtojë kohën më të madhe përgatitjes së elementit njeri, duhet të merret vazhdimisht me njeriun dhe, në veprimtarinë e tij kultura duhet ta ruajë gjithmonë peshën e saj.
- Udhëheqësi duhet ta njohë mirë kuadrin e ekipit të tij. Ai duhet të dijë mirë se kë do të bëjë përgjegjës dhe për çfarë, ç’do të presë nga secili dhe në ç’masë, ç’punë do t’i besojë dhe dorëzojë dikujt ose kujt duhet t’ia besojë dhe dorëzojë një punë të caktuar. Krahas kësaj, ai duhet ta rregullojë në atë mënyrë ecurinë e punëve që ka planifikuar, që nga shpejtësia e ecurisë së tyre të mos ndjehet i shqetësuar as njeriu mesatar, as njeriu i aksionit. Në mënyrë të veçantë, udhëheqësi duhet ta ketë krejt të qartë perspektivën e afërt dhe të largët të punëve në mënyrë që plani i punëve të sotme të mos e pengojë zbatimin e punëve të nesërme. Në të kundërt, punët e nesërme me të sotmet do të funksionojnë gjithmonë në dëm të njëra-tjetrës. Udhëheqësi i vërtetë duhet ta përcaktojë edhe situatën e disa viteve më pas, sipas ngjarjeve të zhvilluara në shoqëri, në mënyrë që punët e sotme të mos prishen nga të papriturat e të nesërmes.
- Udhëheqësi duhet të jetë i gatshëm për t’i zgjidhur të gjitha problemet e ndjekësve të tij. Këto probleme mund të jenë individuale, familjare, administrative, juridike, ekonomike dhe shoqërore. Udhëheqësi duhet t’i zgjidhë këto me mjaft lehtësi.
- Propozimet, direktivat dhe parimet e parashtruara nga udhëheqësi duhet të jenë gjithmonë të zbatueshme. Udhëheqësi i aftë e i suksesshëm u shmanget gjithmonë propozimeve utopike të pazbatueshme. Në të njëjtën kohë, ai është i pari dhe njeriu shembull dhe model në respektimin dhe zbatimin gjer në hollësi të propozimeve të veta.
Një tjetër veçori me rëndësi është që parimet të cilat përbëjnë qëllimin final të përfytyruar prej udhëheqësit, të mos korrigjohen dhe konsumohen nga koha, por ta ruajnë gjithmonë gjallërinë e tyre në atë mënyrë që njeriu i çdo kohe t’i pranojë, marrë dhe përvetësojë ato sikur të ishin eliksir, t’u gjejë zgjidhje problemeve të veta me to. Kalimi i viteve dhe shekujve nuk duhet t’i ndryshojnë ato, përkundrazi, koha që kalon duhet t’i bëjë ato gjithmonë e më aktuale, efektive e të zbatueshme.
Kur këto veçori që i kërkuam te udhëheqësi i aftë e i suksesshëm e që i radhitëm pjesërisht këtu, merren në tërësi, shihet se udhëheqësi më i suksesshëm i botës ka qenë dhe mbetet zotëruesi i zgjuarsisë së madhe, Profeti Muhamed (s.a.s.)! Ai është i tillë edhe ndaj profetëve të tjerë. Ai është personaliteti i zgjedhur dhe i veçantë, që i pati zotëruar veçoritë, të cilat i përmendëm më sipër, në shkallën më të lartë, i pati trajtuar në shkallën më të lartë dhe i pati përfaqësuar në shkallën më të lartë! Është e pamundur të tregohet një person i dytë si ai!
Kjo e vërtetë që ne e pranojmë si besim, njerëzit e Perëndimit kanë filluar ta zbulojnë sot me anë të kompjuterëve!
Thelbi i këtij përcaktimi, i konsideruar surprizë sipas disave, është ky: persona të ndryshëm të mëdhenj, bashkë me veçoritë e tyre që i bëjnë të mëdhenj, i janë dhënë një kompjuteri, i cili, në bazë të kritereve të caktuara, do të nxirrte se cili nga kandidatët është më i madhi dhe, në përfundim të shumë përpjekjeve dhe provave, ekrani i kompjuterit ka treguar si më të madh Profetin Muhamed (s.a.s.)! Edhe ai ishte një njeri, por nuk kishte jetuar si njeri. Ai ishte udhëheqësi më i madh, prijësi më i madh dhe pishtari më i madh. Ai kishte lindur në një mënyrë të posaçme vetëm për të dhe kishte jetuar në mënyrë të posaçme vetëm për të!