Një praktikë meditimi mund t’ju ndihmojë të largoni varësinë nga celulari, duke kuptuar se kontrolli i shpeshtë i tij nuk ju sjell asnjë të mirë dhe se eksperienca e të jetuarit është më me vlerë.
Të qenët i vetëdijshëm mund t’ju ndihmojë shumë në transformimin e marrëdhënies suaj me celularin. Ju mund të mos e kuptoni se sa shpesh keni filluar ta merrni në dorë dhe ta hapni celularin për të kontrolluar email-in, rrjetet sociale, për të bërë foto, për të hapur video dhe çdo aplikacion tjetër të mundshëm.
Megjithatë, duhet të kërkoni balancën mes përdorimit të teknologjisë dhe përqendrimit në jetën tuaj të përditshme, pasi kjo mund të ndikojë negativisht në aktivitetet që bëni dhe në mendimet tuaja.
Studimet tregojnë se përdorimi i celularit për vetëm gjysmë ore në ditë për dhjetë vjet dyfishon shanset e kancerit në tru. Dhimbjet e duarve nga përdorimi i celularëve për të shkruar mesazhe janë bërë diçka e zakonshme. Përdorimi problematik i internetit (PIU) konsiderohet një varësi sjelljeje ku rreth gjysma e pjesëmarrësve në një studim u konsideruan të varur nga interneti.
Kërkimet tregojnë se një e katërta e adoleshentëve në SHBA lidhen me një pajisje teknologjike brenda pesë minutave nga zgjimi në mëngjes dhe shumica e adoleshentëve dërgojnë të paktën njëqind mesazhe në ditë.
Për më tepër, në 20 vitet e fundit njerëzimit i është ulur solidariteti me njerëzit me 40 për qind dhe kërkuesit po e lidhin këtë trend me teknologjitë e komunikimit.
Sa herë që përdorim një teknologji me valë, duket se rrezikojmë lidhjet e shëndetshme që bën truri dhe heqim dorë nga komunikimi pamor për të cilin sistemet tona sociale dhe psikologjike kanë nevojë.
Vështirësia për t’u përqendruar është gjithashtu e madhe dhe po bëhen përpjekje të shumta për të forcuar vigjilencën te njerëzit.
Nuk është rruga e duhur flakja e celularëve apo mbyllja e llogarive në rrjetet sociale. Teknologjia mund të mos jetë “e ligë” në vetvete, por përdorimi i saj nga ne mund t’i kalojë kufijtë e së mirës. Neve thjesht na duhet t’i përdorim pajisjet me më shumë përgjegjësi. Por cila praktikë do të ishte më e mira për të pakësuar përdorimin e atyre pa të cilat duket se nuk jetojmë dot? Merrni celularin në dorë dhe ndiqni këshillat e mëposhtme.
Uluni rehat në një vend dhe mbani pozicionin e duhur të trupit në balancë me celularin, pa e ulur kokën, sepse ju dëmton qafën. Merrni në duar celularin. Ndizeni atë, por mos hapni asnjë aplikacion. Thjesht mbani gishtin mbi ekran.
Merrni frymë thellë dhe gjatë. Ndieni nuancat e frymëmarrjes suaj dhe nxirreni atë. Për disa minuta praktikoni vëmendjen mbi frymëmarrjen tuaj. Pavarësisht se po shihni celularin, kushtojini rëndësi frymëmarrjes suaj.
Vini re se çfarë ndjesish ju vijnë në mendje në atë çast dhe pasi t’i keni etiketuar se çfarë janë rikthejeni vëmendjen te fryma juaj. Shihni nëse mund të ruani vigjilencën te procesi i frymëmarrjes dhe nëse ju ndodh ndonjë impuls që jua çon pa dijeni gishtin në një aplikacion, në email apo në aspekte të tjera të celularit tuaj. A ekziston një dëshirë e brendshme te ju që po ju drejton në një rrugë të caktuar dhe pyesni veten se çfarë dëshironi vërtet në këtë moment.
Provoni t’i rezistoni dëshirës për t’ju bindur impulsit. Shikoni nëse ia dilni me sukses. Pasi të keni marrë frymë thellë pyeteni veten nëse kjo diçkaja që po kërkoni pa e ditur në celular ju bën të ndieni zemërim apo rritim? Ju bën të kujtoni dikë që ju vë në faj apo thjesht ndiheni keq që nuk e keni hapur menjëherë pasi keni marrë në dorë celularin?
Pyeteni gjithashtu veten nëse ka diçka në celularin tuaj që ju bën të shqetësoheni? Lëreni ndjesinë për të prekur ekranin t’ju largohet. Mbajeni celularin në duar dhe vini re nëse ai ju jep ndonjë ndjesi dobësie. Së fundmi, pyeteni veten se sa i rëndësishëm është ky objekt i vogël për të menaxhuar jetën tuaj të përditshme, si ju bën ai të ndiheni për veten dhe sa kontroll keni ju për jetën tuaj?
Vazhdoni të mendoni këto gjëra derisa të kuptoni se në atë çaste nuk e keni të domosdoshme të hapni celularin dhe se mund të jetoni jetën.
Kjo praktikë meditimi ju shërben për t’u ndërgjegjësuar për eksperiencën tuaj në teknologji dhe se si ekrani është bërë një vorbull ku po fshihen të gjitha mendimet tona dhe që na përcjell energji negative.
Ju duhet të kuptoni se nuk është celulari apo interneti e keqja, por mënyra se si ju i përdorni ato dhe se si lejoni t’ju krijojnë varësi. Ashtu sikurse armët nuk e shkrepin vetë këmbëzën, as ju teknologjia nuk ndikon drejtpërsëdrejti në jetën tuaj.
Ajo ndikon përmes jush dhe duhet të keni të qartë se ju jeni mjaftueshëm të fuqishëm të ndaloni këtë varësi ndaj rrjeteve sociale apo email-it dhe të gëzoni më shumë jetën. Nëse jeni për një shëtitje në park, mendoni se nuk keni asnjë arsye përse të shkrepni një foto dhe më pas të prisni për reagimin ndaj saj të shokëve tuaj.
Kemi ardhur në këtë planet pikërisht për të shijuar eksperiencën e të jetuarit dhe jo për ta reklamuar atë te të tjerët. Të gjithë kanë fatin e mirë dhe të barabartë të të qenët gjallë dhe ju duhet të përfitoni më shumë nga kjo përvojë për të zbuluar synimin tuaj në jetë dhe jo të shpërqendroheni me aktivitete që ju hanë kohën dhe nuk ju sjellin dobi.