Namazi është një ndër detyrat themelore dhe më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë. Qëllimi i namazit është përkujtim dhe afrim ndaj All-llahut (xh.sh) në mënyrë që shpirtërisht të ndjejmë kënaqësinë e Krijuesit. Për këtë arsye, të gjithë besimtarët e kryejnë namazin pesë herë në ditë në intervale kohore të caktuara.
Mirpo, përveç namazeve farz të pesë kohëve ka dhe namaze të tjera. Këto quhen namaze nafile (vullnetare). Falja e këtyre namazeve është shumë e rëndësishme për forcimin e lidhjes me Allahun dhe dashurisë për Profetin. Gjithashtu këto namaze mbartin shumë sevape dhe mirësi për besimtarin. Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hurejre (r.a), Profeti (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “E para gjë për të cilën do të llogariten njerëzit në Ditën e Gjykimit nga punët e tyre është namazi. Zoti ynë u thotë engjëjve: “Shikoni në namazin e robit tim, a e ka plotësuar atë apo e ka lënë mangët?” Nëse është i plotë, i shkruhet atij i plotë dhe nëse ka lënë mangët ndonjë, thotë: “Shikoni a ka robi im nafile?” Nëse ka nafile, thotë: “Plotësojani robit tim farzin, duke marrë nga nafilet e tij!”, e pastaj llogaritet për veprat e tij.”
[Ahmedi ibn Hanbel, Ebu Daudi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxhe]
Namazi i Duhasë
Namazi i Duhasë, ndryshe quhet si namazi i paradites, është një namaz të cilin Profeti ynë i nderuar e ka falur herë pas here, i cili mund të falet duke filluar 45-50 min pas lindjes së diellit deri kur dielli arrin pikën më të lartë. Mund të jetë dy, katër, tetë ose dymbëdhjetë rekatësh. I Dërguari i Allahut (s.a.s) në lidhje me namazin e duhasë ka thënë:
“Secili prej jush është i obliguar të japë sadaka për çdo nyje të vetën. Të thuash “SubhanAllah”, është sadaka, të thuash “Elhamdulilah” është sadaka, të thuash ” La ilahe il-Allah”, është sadaka, të urdhëruarit për mirë është sadaka, largimi nga e keqja është sadaka, ndërsa të gjitha këto mund të kompensohen me dy rekate namaz duha”. [Muslim, Ahmed bin Hanbel, Ebu Davud]
Namazi Evvabin
Namzi Evvabin , është një namaz i cili falet mes akshamit dhe jacisë. Namazi Evvabin do të thotë namazi i atyre që pendohen dhe i mbështeten Allahut. Një namaz i përbërë nga gjashtë rekate ashtu siç mund të falet me një selam mund të falet dhe dy nga dy, me tre selame. Profeti (a.s) thotë: “Ai që fal gjashtë rekate pas namazit të akshamit pa folur ndërkohë fjalë të këqija, ky adhurim është i barabartë për të me dhjetë vjet adhurim.”
Namazi Tehexhud (natës)
Namazi Tehexhud është një namaz i cili falet pasi kemi fjetur, deri pak para agimit (imsakut). Është një nga namazet që Profeti (a.s) nuk e ka lënë kurrë. Profeti ynë (s.a.s) pasi falte jacinë binte të flinte pa falur vitrin, ngrihej nga mesi i natës dhe pasi falte namazin Tehexhud falte dhe vitrin dhe më vonë kur hynte koha e sabahut falte sunetin e sabahut. Nata e cila kalon me tehexhud është si një projektor që ndriçon jetën tjetër. Gjithashtu, gjallërimi i shpirtrave është i lidhur me gjallërimin e netëve.
Namazi Tesbih
Namazi tesbih është namazi më i madh i pendimit, faljes dhe bëhet me gjithë trupin. Profeti (s.a.s) duke dashur t’i dhurojë diçka xhaxhait të tij, Abasit, e ka këshilluar të falë këtë namaz. “Dëgjo xhaxha, a do të mësosh diçka nga e cila të kesh dhjetë dobi, nëse e bën këtë Allahu të të falë dhjetë lloje mëkatesh, të parin apo të fundit, të ri apo të vjetër, të vogël apo të madh, të bërë me dëshirë apo pa dëshirë, fshehtazi apo haptazi”. Namazi Tesbih është një namaz i përbërë nga katër rekate. Në çdo rekat lexohet 75 herë “Subhanallahi uel hamdu lil’lahi ue la ilahe il’lallahu uallahu ekber’. Prej mirësisë së madhe që ka ky namaz, është këshilluar prej Profetit (s.a.s) të falet të paktën një herë në jetë.
Tahijjetul Mesxhid
Është namazi nafile prej dy rekatesh që falet kur hyn për herë të parë në një xhami. Tahijjetul mesxhid do të thotë përshëndetja e xhamisë, respektimi i saj, por në të vërtetë vjen në kuptimin e respektit dhe nderimit ndaj Allahut (xh.sh). Prandaj dhe Profeti ynë (s.a.s) na ka këshilluar duke thënë: “Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami, në fillim le të falë dy rekate namaz.”
Namazi i Nevojës (Haxhet)
Ai njeri i cili ka ndonjë shqetësim, problem apo hall, merr abdes dhe fal dy rekatë namaz, pastaj lutet kështu:
‘O Allah të lutem Ty dhe kërkoj prej Teje, të drejtohem Ty me ndihmën e të Dërguarit Tënd, Muhamedit (a.s). O Allah të drejtohem Ty për të më shpëtuar nga ky shqetësim. Bëj të mundur dhe shefaatin (ndërmjetësimin) e Profetit tonë.”
Namazi i haxhetit mund të falet me katër ose me dymbëdhjetë rekate. Nëse falet me katër rekate, në rekatin e parë pas Fatihas lexohet Ajetul Kursi, ndërsa në tre rekatet e tjera pas Fatihas lexohen suret Ihlas, Felek dhe Nas. Ai person që e fal këtë namaz bën lutjen pas namazit dhe ia transmeton dëshirën Zotit të gjithësisë.
Namazi Istihare
Istihare do të thotë “të kërkosh më të mirën, më të vlefshmen”. Profeti (s.a.s) ka këshilluar: “Kur ndonjëri prej jush bën nijet të bëjë diçka, atëherë le të falë dy rekate namaz dhe të lutet kështu:
“O Allah, duke u mbështetur tek dituria Jote, kërkoj të më japësh më të mirën dhe të më japësh forcë. Të lutem, më mëshiro me begatinë Tënde! Unë nuk e di, por Ti e di, unë nuk kam fuqi ndërsa Ti je i Plotfuqishëm. O Allah! Nëse puna që do të bëj do të jetë e hajrit për fenë, jetën dhe të ardhmen time, të lutem caktoje dhe ma lehtëso, më dhuro begati! Nëse është e dëmshme dhe e padobishme për fenë, jetën dhe të ardhmen time, largoje nga unë! Më jep më të mirën dhe më fal lumturi.” Pas kësaj personi lutjeje shpreh dëshirën e vet.