Ashtu sikurse lutja, adhurimi, dhe bamirësia e Profetit (a.s) është shembulli më i mirë për çdo besimtar që e beson Allahun, Ditën e Fundit dhe e kujton shumë Allahun me dhikër, po ashtu edhe ngrënia e syfyrit dhe çelja e iftarit nga ana e tij është shembull për të gjithë ne. Profeti (a.s) ka thënë: “Ngrënia e syfyrit është bereqet, prandaj mos e lini edhe sikur të pini një gllënjkë ujë, sepse Allahu i bekon ata që hanë syfur kurse ëngjëjt luten për ta.”
Koha e syfyrit është koha më me bereqet sepse është koha ku Allahu i Madhëruar zbret në qiellin e dynjasë dhe i përgjigjet lutjes të atij që i lutet, e pranon pendesën e atij që pendohet, e fal atë që i kërkon falje dhe e ndihmon atë që i kërkon ndihmë. Ngrënia e syfyrit është e bereqetshme sepse ai i cilia ha syfyr e ka më të lehtë për ta përballuar urinë dhe etjen si dhe ka më energji për të kryer adhurimet e ndryshme gjatë ditës.
Në kohën e iftarit, Profeti (a.s) na udhëzon që të ngrejmë duart në qiell sepse duaja e agjëruesit në këtë kohë është e pranuar. Profeti (a.s) na tregon se në kohën e iftarit agjëruesi ka dy gëzime; një gëzim që e çel iftarin, dhe gëzimi tjetër kur të takohet me Allahun e Madhëruar në Ditën e Kijametit. Çelja e iftarit me hurma apo ujë është pjesë e udhëzimit profetik që na orienton drejt ngrënies së një iftari sa më të lehtë; sa më të lehtë për stomakun dhe sa më të lehtë për të falur namazin e teravive.