VISARE SHQIPTARE – KUZHINA SHQIPTARE

reerer

Visare Shqiptare këtë javë solli në vëmendje të dëgjuesve një nga vlerat e traditës tonë, kuzhinën shqiptare.

Kishim në studio shefin e kuzhinës së restorantit të Mullixhiut Bledar KOLA, ku na solli fragmente dhe mesazhe të rëndësishme për të gjithë dëgjuesit tanë.

Biseda nisi me gatimet autentike shqiptare, ku i ftuari jonë specifikoi dy nga gatimet: tavat, fërgesat, si dhe pjekjen e mishit në furrë ndërsa një pjesë po vjen dhe po eklipsohet.

Më tej Bledari tha se kohët e fundit kuzhinës tradicionale po i shtohen edhe elemente të modernes. Detaje të modernes nuk qëndrojnë vetëm te porcioni më i vogël, por edhe në heqjen e kalorive, ose në rafinimin e gatimit. Rafinimi nuk qëndron në zbukurimin e pjatës, por në shtimin e shijes dhe heqjen e asaj që është e tepërt për trupin.

Ndër vite kuzhina ka pasur edhe ndikime, si nga kuzhina italiane, franceze dhe ajo turke dhe deri diku na ka bërë dembelë, tha i ftuari jonë.

Po ashtu Bledari prezantoi edhe veçanësitë  dhe të rejat që po sjell  restoranti i Mullixhiut, ku e cilësoi si një ‘fustanellë’ të re të kuzhinës shqiptare.

‘’Mullixhiu po e vlerëson kuzhinën shqiptare duke  filluar që nga buka. Ne themi që jemi duke shkuar për të ngrënë bukë dhe jo drekë, kaq e rëndësishme është buka për shqiptarët.  Duam t’ju kujtojmë qytetarëve që kuzhina jonë është e jashtëzakonshme, t’ju çohet mishi kokërr kur të ndjejnë aromën e bukës e të ndihen mirë më ato çka kuzhina jonë na ofron. Eshtë dinjitoze të ofrosh produkte shqiptare e t’i prezantosh ato në mënyrë bashkohore’’, u shpreh shefi i Mullixhiut.

Jam kthyer në Shqipëri për ta rivlerësuar këtë pasuri tonën, më dukej si diçka e lënë jetime e dikush duhej patjetër të merrej me të, kështu u shpreh Bledari për fillimet e tij në këtë zanat kaq të bukur.

Ndër të tjera në studio u fol edhe për nismën ‘’Buka në Strajcë’’ e cila konsistonte në nxitjen e traditën e të marrurit bukën më vete.  Problemi shikohet tek fëmijët të cilët dita ditës konsumojnë më shumë fast food-e, gjë e cila sjell edhe rritjen e numrit të fëmijëve obezë.

‘’Fëmijët nuk e marrin bukën me vete se ju vjen turp nga fëmijët e tjerë, nënat nuk ua japin se fëmijët nuk e marrin dhe ky është një ekuacion që duhet zgjidhur. Kështu ne do të krijojmë royal models pra modele të fëmijëve të pasur që e marrin bukën me vete në mënyrë që të bindim nënat, fëmijët që të marrurit e bukës me vete nuk është një turp por tregon që ke identitet, kulturë dhe që je me taban’’, u shpreh Bledari.

Kuzhina jonë është një mundësi e mirë për t’u bashkuar edhe me njëri tjetrin. Te gatuash është fisnike, sidomos për një vend me traditë e me prodhime të shumta. Gjë tjetër që na veçon është edhe shija e mirë e ushqimeve tona. Na favorizon klima gjë e cila u jep shije ushqimeve dhe menjëherë na shkon mendja që jemi në Ballkan.

Gjatë bisedës, Bledari e vuri theksin edhe tek të gatuarit mirë sipas kohë që jetojmë. Të parët tanë na kanë lënë disa baza dhe ideja është që ne t’i kombinojmë dhe ti shtojmë ato, jo të qëndrojmë po aty.  Po ashtu një pjatë më mirë të jetë e ‘shëmtuar’ e me shije, e shëndetshme sesa vetëm e rregulluar bukur.

I ftuari jonë në fund të bisedës dha mesazhin e të ushqyerit sa më shëndetshëm me fruta, perime, duke shmangur yndyrnat dhe brumrat,  të përdorim lugën si dhe të mos neglizhohet marrja e bukës me vete, e cila është një vlerë për këdo.

Për më shumë detaje dëgjoni bisedën në:

 

 

 

 

 

Pin It