VISARE SHQIPTARE – Panairi i Shtutgardit dhe turizmi dimëror në Shqipëri

ZK1A2750

Biseda e kësaj jave u përqendrua në panairin e Shtutgartit dhe zhvillimet më të fundit nga turizmi dimëror në Shqipëri. Ishim në studio me gazetaren e turizmit e njëkohësisht drejtoreshën e revistës Travel, Flora Xhemani Baba.

Në fillim të bisedës e ftuara jonë foli për organizimin e panairit në Shtutgart, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë si vend partner.

Flora tha se përfaqësimi i Shqipërisë mund të konsiderohet një ngjarje për shkak se u shoqërua nga një fushatë e gjerë publicitare, një eveniment i mbushur plot me perfomancë. Ishte panairi i konsumatorit, turisti që shikon drejtëpërdrejt ofertat që ofron një shtet.

Vizitorët ishin të shumtë, ndaluan në stendën e Shqipërisë e cila kishte një pozicion të mirë nga ku vendi ynë u prezantua denjësisht. Pjesëmarrja e grupit Polifonik Karakteristik të Himarës, i valleve të Tropojës, i grupit të artizanëve të Krujës, si dhe një grup vallesh dhe këngësh nga Diaspora e bënë panairin të kishte edhe më shumë ritëm dhe panorama e Shqipërisë të ishte më e plotë. Të gjitha këto realizuan një shfaqje shumë të kompletuar dhe përfaqësim të mirë të Shqipërisë.

Flora shtoi gjithashtu se të gjitha këto u pasqyruan edhe në median gjermane, gjë që tregoi për një interes të lartë të gjermanëve për Shqipërinë. Ndërsa në pjesën e dytë të emisionit u fol për turizmin dimëror. E ftuara jonë pohoi se Shqipëria zbardhet shumë, por në fakt nuk shfrytëzohet për atë bardhësi që ka. Dardha,Voskopoja dhe Valbona (deri diku) janë disa nga vendet që shfrytëzohen.

Në vijim të bisedës Flora tregoi për Shishtavecin, një fshat skiatorësh me aktivitet të gjallë dimëror, për të cilin tha se mund të jetë një destinacion i mirë për turizmin dimëror. Ndër të tjera Flora solli edhe disa vende të tjera të cilat premtojnë për një turizëm të mirë. Përmendim këtu: Tropojën, Shishtavecin, parkun Shebenik-Jabllanicë etj.

Në fund të emisionit e ftuara jonë bëri një ftesë të sinqertë, duke theksuar se mjafton të dilni nga shtëpia, nuk ka rëndësi ku shkoni, shkoni diku, do qetësoheni duke shijuar natyrën dimërore.

 

Për më shumë ndiqni emisionin në:

ZK1A2753

Pin It