VISARE SHQIPTARE – TË NJOHIM ARIN E LËNGSHËM SHQIPTAR, VAJIN E ULLIRIT

15195985_1191864350867394_6195399832496702641_o

Këtë javë në studion e ‘’Visare Shqiptare’’ folëm për ‘arin e lëngshëm’ shqiptar, për vajin e ullirit. Ishim në bisedë me pronarin e biofermës Rramilli, Andi Rramilli.

Si fillim Andi foli për prodhimin e vajit të ullirit në fermën e tij, ku tha se ka një investim të konsiderueshëm në këtë sektor me tipet kalinjot, lecino dhe frantoi.

Në Gjepalaj,Shijak ka ullinj që datojnë shumë herët, pikërisht këtu janë mbjellë edhe ullinjt e biofermës Rramilli. Kjo ka shërbyer për njerëzit e zones, si dhe për tregun vendas.

Më tutje folëm për specifikat e vjeljes së vajit të ullirit. Prodhimi i ullirit vilet kur ai konsiderohet i pjekur nga pikëpamja teknike dhe përkon me kërkesat specifike të tregut. Zgjedhja e kohës duket rëndësore për cilësinë e vajit dhe sasinë e tij. Kjo gjë mund të kuptohet kur niveli i ngjyrës nga jeshile në të errët është rreth 75%.

Andi tha se kjo kohë ishte fundi i tetorit dhe periudhës së nëntorit, megjithatë varet nga kultivuesi pasi ai arrin ta dallojë nëse ulliri ka arritur fazën për t’u kthyer në vaj.

Folëm gjithashtu edhe për cilësinë e vajit të ullirit. Andi tha se janë disa faktorë që ndikojnë në cilësinë e një vaji të mirë. Fillimisht kultivatori duhet të zgjedh kokrrat më të mira, të sapo këputura dhe jo të rëna në tokë. Po ashtu duhet parë mirë grada e maturimit të frutit.

Në të njëjtën kohë nuk duhet të dëmtohet fruti si dhe mënyra e transportit nga pema te fabrika duhet të jetë me arka në mënyrë që të ajroset që të mos humbasë vlerat.

I ftuari tha se rëndësi ka dhe koha e përpunimit, e cila nuk duhet të jetë më shumë se 48 orë pasi është këputur fruti.

Në vijim të bisedës Andi tha se Shqipëria ka 60 mijë ha ullinjë dhe 10 milionë pemë ulliri, nga të cilat 1.3 milionë janë ullinj shekullor ndërsa të tjerat shkojnë deri në 80 vjeç. Ndër variatet kryesore që zënë 85% të tregut janë: Kalinjoti, Krypi i Beratit, Bardhi i Tiranës, Krypësi i Elbasanit, Miksani dhe Himara.

Ndër të tjera i ftuari shprehu se duhet pasur kujdes edhe në krasitjen, plehërimin dhe vaditjen e pemës së ullirit, që ulliri të rritet shëndetshëm. Vetëm krasitja mund të bëhet në 10 mënyra të ndryshme.

Po ashtu Andi nënvizoi se ruajtja e vajit të ullirit është një çështje tjetër me rëndësi që mos të humben vlerat e vajit. Konservimi është mirë të bëhet në enë qelqi, inoksi, balte, të qëndrojë larg dritës së diellit, nxehtësisë si dhe mos të futet në frigorifer.

Në fund i ftuari dha disa sugjerime për të gjithë ata që mendojnë të mbjellin ullinj dhe duan të bëhen fermerë të së ardhmes, ku si kryesore veçoi zgjedhjen e terrenit që do të investojnë si dhe lidhjen me një tregtar lokal.

Për më shumë dëgjoni emisionin në:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Pin It