101 vjet Frank Sinatra, legjendari i muzikës që nuk mësoi kurrë të lexonte partiturat

maxresdefault
Më 12 dhjetor 1915 në Hoboken, New Jersey, lindi Frank Sinatra, fëmija i vetëm i emigrantëve italianë Natalie dhe Antonino Sinatra. Fëmijëria e tij përkoi me periudhën e Krizës së madhe ekonomike; Sinatra la shkollën e mesme ose u përjashtua për shkelje disipline (vetëm 1 muaj para diplomimit); punoi si shitës gazetash; më pas si punëtor porti; pësoi edhe ndonje arrestim për kundërvajtje ligjore; është përfolur për shumë gjëra, përfshi lidhjet me mafian; por muzika ishte interesi i tij kryesor; Sinatra filloi të kënduarit në moshën 8 vjeçare, duke qëndruar në hyrje të bareve dhe klubeve të natës në Hoboken; filloi të kënduarit në mënyrë profesionale kur ishte adoleshent. Thonë se Sinatra e kishte mësuar muzikën me të dëgjuar (kishte vesh për muzikë); ai nuk i njihte notat; kurrë nuk mësoi të lexonte partiturat; Sinatra shkroi, kompozoi, e regjistroi rreth 1 mijë e 500 këngë. Megjithatë, karriera e tij është e pashembullt, e gjatë, e gjithëanëshme, e sukseshme, edhe në kinematografi, ku arriti thuajse të njëjtën shkallë suksesi me atë në muzikë. Edhe pse konsiderohet hero në qytetin e tij, Hoboken, Frank Sinatra rrallë e vizitoi atë. Thuhet se në vitin 1948, ai shkoi në Hoboken por nuk u prit mirë, dhe u betua se kurrë nuk do të kthehej; në fakt nuk u kthye deri në vitin 1984, kur shkoi me presidentin Ronald Reagan (atëhere në fushatë për rizgjedhje në Shtëpinë e Bardhë). Në vitin 1995, për të shënuar 80 vjetorin e ditëlindjes ndërtesa Empire State u vesh me drita blu; në Shrine Auditorium në Los Anxheles u zhvillua simpoziumi Sinatra: 80 Years My Way”; në fund të programit Sinatra këndoi për herë të fundit “New York, New York”. Kjo ishte edhe shfaqja e fundit televizive e tij. Sinatra vdiq më 14 maj 1998 ne West Hollywood, Kalifornia.

Pin It