Kënaqja me caktimin e Allahut

Kënaqësia në atë që është caktuar i mundëson njeriut të ngjitet në nivelet më të larta të besimit dhe të sinqeritetit. Disa njerëz dëshirojnë t’i gjejë vetëm e mira, t’u ndodhin vetëm gjëra të këndshme në këtë jetë. Të kënaqurit me atë që është caktuar nuk do të thotë të të ndjekin vetëm të mira, por gjithçka që është caktuar.

Matësi i vërtetë për besimtarin është kur kalon gjëra të dhimbshme. Nëse në raste të atilla shpreh pakënaqësi, pa dyshim që ka mëkatuar.

Përzgjedhja dhe përcaktimi i takojnë vetëm Allahut. Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Lartmadhëruari. Dija e tij përfshin plotësisht çështjet e të padukshmes, gajbit. Kënaqja me Allahun në të gjitha rrethanat sjell edhe kënaqësinë e Allahut me robin e vet. Kur jemi të kënaqur me furnizimin tonë të vogël, Ai do të kënaqet me veprat tona të vogla. Allahu është më se i kënaqur me njerëzit e kënaqur. Kënaqja me atë që është caktuar i hap derën një parajse mbi tokë dhe para Ahiretit. Nëse në kohë të vështira njeriu mbetet i kënaqur me gjendjen e tij, ai është i aftë të ruajë qetësinë e gjakftohtësinë. Kështu, ai tregon besim të vërtetë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij.

“Kjo është ajo që Allahu dhe i Dërguari i Tij na premtuan e Allahu dhe i Dërguari i Tij thanë të vërtetën” (Ahzabe, 32).

Kënaqësia e çon njeriun në paqe, në përparim, në mirësi. Një nga bekimet më të mëdha të Allahut për njerëzit është dhurimi i qetësisë mbi ta. Një nga mënyrat më të mira për të arritur qetësinë është të jesh i kënaqur me Allahun.

“Prandaj, bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata dhe duke falënderuar Zotin tënd, falu para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, falu edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, ashtu që të gjesh kënaqësi me shpërblim” (Ta ha, 130)

Kënaqja ofron siguri, sepse zemra e kënaqur është e shëndetshme dhe e lirë nga mashtrimi, korrupsioni e mllefi. Vetëm zemra e shëndoshë është ajo që do të shpëtojë nga dënimi i Allahut, ajo zemër që është çliruar nga dyshimi, mosbesimi dhe nga kurthet e ndryshme të shejtanit.

Në një hadith thuhet: “E ka shijuar imanin ai që është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhamedin si të Dërguarin e Allahut”.

Allahu të mbush zemrën me pasuri, siguri dhe rehati. Kënaqja e zbraz zemrën nga ngarkesat e tepërta, duke e lënë vetëm për Allahun.

Pakënaqësia te njeriu shkakton mërzi. Ajo i hap derën ankthit e të mbush me halle. Njeriu duhet me patjetër t’i largohet kësaj. Ruhuni nga të ankuarit për sa të është caktuar, pasi kjo nuk sjell paqe të brendshme. Zemra e pakënaqur është e mbushur me ligështi, dyshim dhe paqëndrueshmëri. Një zemër e tillë mbetet rebele dhe e shqetësuar. Njerëz të këtillë janë kontradiktorë në veprat e tyre. Ata nuk janë të saktë në raportin e të drejtës me atë të detyrës. Për të pakënaqurin nuk ka jetë të vërtetë. Ai është gjithnjë i mërzitur, ankues dhe i duket sikur kalon nga një problem në tjetrin. Ai mendon se furnizimi i tij është i pakët, fati i tij është i mjerë, se problemet e tij janë të shumta dhe se ai meriton më tepër, por i është mohuar padrejtësisht. Një njeri i tillë nuk gjen kurrë paqe, qetësi, rehati e jetë të mirë. Kjo ndodh sepse ata ndoqën atë që e zemëron Allahun dhe urryen atë që Ai pëlqen. Prandaj Ai ua asgjësoi veprat e tyre. (Muhamed, 28)

Shejtani e mund njeriun më shpesh në dy fusha, në pakënaqësi dhe në dëshira. Ai ruan dhe e gjen prenë e tij shumë të trazuar e sidomos kur moskënaqja është rrënjosur thellë në zemrën e tij, ai, i mallkuari, e nxit dhe e bën të pakënaqurin të mendojë e të veprojë në mënyrë të tillë që ta zemërojë Allahun.

Allahu na bëftë prej atyre që kënaqen me caktimin e tij!

 

Pin It