60 vjet në arka municionesh, ekspozohen fotot e rralla të Dhimitër Vangjelit

kulture

Rite, zakone, familjet e pasura e të varfëra të Kolonjës, gjeneralë, banda muzikore, zanatçinjtë, portrete të ndryshme të jetës së shekullit të kaluar. Këto foto të  rralla të Dhimitër Vangjelit u ekspozuan në qytetin e Ersekës, duke sjellë kështu një dëshmi historike dhe të larmishme të Kolonjës.

Në ceremoninë e zhvilluar në Ersekë, në qendrën e re të saj, të pranishëm ishin Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, zv.kryeministri Niko Peleshi, Ministri i Çështjeve Vendore, Bledi Çuçi, kandidati i majtë për Bashkinë e Ersekës  Ilia Stefo si dhe personalitete të tjera të politikës e artit.

Puna për zbulimin e thesarit të Dhimitër Vangjelit, theksoi ministrja Kumbaro  nisi  pas një telefonate të ish-kreut të ndjerë të Bashkisë, Arben Malo dhe përkushtimit e pasionit nga Qendra Kombëtare e Iventarizimit të Pasurive.

Duke vlerësuar punën e bërë për shpëtimin e këtyre fotove nga arka e municoneve ku dergjeshin prej 60 vitesh, Kumbaro tha se tashmë edhe Kolonja ka Marubin e  saj.

 Ndërsa zv.kryeministri Niko Peleshi, tha se në këto foto dëshmi të së shkuarës takohet mbi të gjitha qytetaria, jo vetëm arti i fotografisë.

Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 08.09.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje  punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan  të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën  e të cilit vendosi një  tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotograf.

Në sajë të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës.

Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjithë fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe tek ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa  kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem,  të rinj e të moshuar, ceremoni nga  festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj,  ceremoni dasmash  e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë  të armatosur vendas dhe të huaj, peizashe, etj.

Pin It