Brenda shtëpisë duhet të ketë edhe vend, edhe kohë të veçuar për falje e lutje. Po të ketë mundësi, namazet e pesë kohëve të falen në shtëpi ose, ndryshe, të merret fëmija për dore e të çohet në xhami. Kjo e dyta, më shumë në periudhat kur nëna nuk mund të falë namaz. Nuk i duhet lënë shteg mundësisë që fëmija, duke parë nënën që s’falet, të mësohet, dashje pa dashje, me idenë se mund të bëhet edhe pa namaz, edhe pa lutje.
Në librat e të drejtës islame (fikh) kjo çështje trajtohet edhe kështu: Kur femra, nëna, kalon një periudhë kur nuk mund të falë namaz, ajo mund të marrë abdest, të ulet në sexhade, të hapë duart për lutje dhe t’i lutet Zotit. Kështu, edhe ajo nuk do të shkëputet plotësisht nga adhurimi, edhe fëmija nuk do të vërë re një ndryshim të theksuar në adhurimet e saj. Megjithëkëtë, si në këto periudha të veçanta, ashtu edhe zakonisht, vajtja në xhami ruan vlerat e veta të veçanta. Kështu, do të vijë një ditë që, kur të këndohet ezan, fëmija, krejt si një orë e kurdisur, do t’ju paralajmërojë: “Baba, do falim namaz!” Dhe, ndërsa dikur e paralajmëronit ju atë, tani do të jetë ai që do t’ju bëjë zë juve kur të jeni i zënë me punë apo kur të mos e keni dëgjuar ezanin!
Përveç kësaj, ju duhet të keni një orë të caktuar të ditës për t’ia dedikuar Allahut. Atëherë ju do t’i shfaqni Zotit ndjenjat tuaja dhe do t’i qani hallet tuaja, duke treguar praktikisht se Krijuesi i Lartë është gjithë kohës një derë e hapur ku mund të drejtoheni, ku mund të mbështeteni. Eshtë e dobishme që lutjet e kësaj ore private t’i bëni me zë të lartë. Kështu i patën dëgjuar dhe mësuar sahabet lutjet me zë të lartë të Profetit (s.a.s.), që i njohim dhe i përdorim edhe ne. Shumë lutje të tilla i ka përcjellë Hz. Aisheja (r. anha). Ka edhe lutje të përcjella nga Hz. Aliu dhe Hz. Hasani e Hz. Hyseni (r. anhum).