Agjencia Kombëtare e Mjedisit promovon regjistrin online për raportimin e ndotësve

tiro-640x340

Agjencia  Kombëtare e Mjedisit  lançoi ditën e martë Regjistrin Online të Shkarkimeve dhe të Transferimit të Ndotësve – PRTR në të gjithë territorin e Shqipërisë. Ky regjistër është tashmë funksional prej janarit 2017.

250 kompanitë më të mëdha në vend do të deklarojnë shkarkimet e tyre direkt në këtë sistem për 91 lloje ndotësish, në ajër, tokë dhe ujë, bazuar në detyrimin ligjor që ato kanë për deklarimin e shkarkimeve nga 1 deri në 2 herë në vit.

Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, në fjalën e tij theksoi se transparenca dhe bashkëpunimi me publikun, aktorët vendimarrës dhe shoqërinë civile ka qenë prioriteti i tij, në këto 3 vite e gjysmë drejtim të Ministrisë së Mjedisit, me misionin kryesor mbrotjen e mjedisit për shëndetin e qytetarëve shqiptarë.

Ai nënvizoi se “transparenca për publikun do të jetë prioriteti ynë, dhe ky regjistër me akses të lirë nga çdokush e ofron këtë. ” AKM ka treguar në këto 3 vite, bazuar edhe në 3 progres raportet që kemi marrë një punë cilësore në mbrotje të mjedisit. Vazhdoj të theksoj idenë, se qytetari është për ne partneri ynë më i ngushtë, në misionin tonë për mbrojtjen e mjedisit”, shtoi ai.

Drejtori i Përgjithshëm i  AKM-së, Julian Beqiri, gjatë prezantimit të tij u ndal në rëndësinë që ky proces merr me funksionimin e këtij regjistri tashmë online, në informimin e publikut. Ai theksoi se gjatë muajve të fundit është trajnuar stafi i operatorëve privat, për mënyrën e hedhjes në sistem të të dhënave.

“Është e rëndësishme të kuptohet se AKM dhe ISHMP me kapacitetet e tyre monitoruese dhe kontrolluese do të kontrollojnë subjektet në mënyrë periodike, për vetëdeklarimet që ato do të bëjnë” , nënvizoi Beqiri.

Ky regjistër mundëson për publikun, qasjen online në informacionin mjedisor për 250 kompanitë më të mëdha, në lidhje me sasinë vjetore të shkarkimeve (emetimeve) të ndotësve.

Me ngritjen dhe funksionimin e këtij sistemi, Shqipëria bëhet pjesë  e Rrjetit Europian të raportimit për ndotësit e mëdhenj që janë subjekt i këtij raportimi, ku Agjencia Kombëtare e Mjedisit është përgjegjëse për zbatimin e saj. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit dhe mbështetjes së Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC), me fonde të Agjencisë Federale Gjermane të Mjedisit.

Pin It