Ai (s.a.s) ka pasur sofër të begatë

Ushqimi i shërbyer në shtëpinë e Profetit Muhamed (a.s) ishte modest, megjithatë ishte i begatë pasi mjaftonte për të ushqyer të varfrit dhe i pasur në falendërime ndaj Allahut. Në tavolinën e Profetit a.s nuk u shtrua kurrë ndonjë nga ushqimet e ndaluara.
Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Hani ushqim bashkë dhe mos u ndani; begatia vjen duke ngrënë bashkë”, duke pohuar se të ngrënit vetëm nuk është diçka e pëlqyer dhe është e nevojshme që familjarët të ulen bashkë në tavolinë. Edhe pse Profeti Muhamedi (a.s) parapëlqente disa ushqime mbi disa të tjerë, kjo nuk e shtynte t’i refuzonte këto ushqime kur ia ofronin, aq më pak të ndalonte përdorimin e tyre. Ai thotë: “Lërini gjërat që nuk ju pëlqejnë dhe lejoni të tjerët që të përfitojnë prej tyre”, duke theksuar faktin që njerëzit duhet të respektojnë shijet e të tjerëve për të shmangur kështu shpërdorimin e ushqimit.

Profeti Muhamed (a.s) tregonte gjithmonë kujdes për ushqimin dhe nuk lejonte kurrë që ai të hidhej ose të shpërdorohej. Ai kujdesej të mos linte ushqim në pjatë, si dhe thoshte se thërrmijat dhe ushqimi që bie nga ena, duhet të konsumohet  pasi të pastrohet nga ndonjë papastërti që mund të ishte e dëmshme për njerëzit. Nga ana tjetër, ai i këshillonte njerëzit të mos tregoheshin të babëzitur në të ngrënë.

Atij i pëlqente mjalti dhe ëmbëlsirat e tjera. Ushqimi “tharid”, i përgatitur duke shtuar feta buke në lëng mishi ishte i parapëlqyeri i tij. Atij i pëlqente të hante shalqi dhe hurma që nuk kishin arritur kulmin e pjekjes. Gjithashtu e kishte zakon të hante kastravec të regjur. Siç ishte e zakonshme në atë kohë, njerëzit konsumonin shumë mish me të cilin bëheshin gatimet më të mira, ndër të cilët edhe tiriti (një lloj lëngu mishi), që Profetit (a.s) e pëlqente shumë.

Nuk ka asnjë mëdyshje se burimi kryesor i ushqimit në familjen e Profetit (a.s) ishin hurmat dhe gruri, që përbënin lëndët kryesore ushqyese të banorëve të Arabisë. Hurmat janë ushqimi më i zakonshëm në gadishullin arabik. Nga pijet e tij më të preferuara ishte qumështi. Është fakti i ditur se Profeti Muhamed (a.s) i milte vetë bagëtitë në kopshtin e tij duke i ardhur në ndihmë familjes. Përveç hurmave dhe grurit, sikurse në familjet e tjera, edhe në familjen e tij qumështi përbënte një tjetër ushqim thelbësor. Për më tepër, ai i gostiste gjithmonë me qumësht miqtë e tij.

Profeti Muhamed (a.s) kujdesej për të pastrehët, për të uriturit dhe nevojtarët që jetonin në Sufa. Në disa raste, ai i merrte të varfrit në shtëpi për t’i ushqyer dhe nxiste edhe të pasurit të bënin të njëjtën gjë.

Pin It