Ai (s.a.s) pikturoi botën, me fjalët e tij…

Në Arabinë e lashtë, elokuenca përcaktonte pozitën e individit në shoqëri. Gjuha arabe është e pasur me nuanca e ngjyrime kuptimore. Arabët konkurronin me njëri-tjetrin në thurjen e bukur të fjalëve, duke i dhënë kështu formë artit gojor. Në këtë kohë lindi profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të. Megjithëse nuk dinte të shkruante dhe të lexonte, ai kishte më shumë aftësi gjuhësore se kushdo tjetër. Këto aftësi ia bënë të mundur përcjelljen e koncepteve të vështira tek njerëzit vetëm me pak fjalë.

Si komunikuesi më i aftë, profeti Muhamed (a.s) i kushtonte kujdes të veçantë përcjelljes së mesazheve të qarta joverbale gjatë gjithë kohës, madje edhe kur rrinte në heshtje. Ai (a.s) ishte i vetëdijshëm, se pjesa më e madhe e traditës së tij do të transmetohej gojarisht, prandaj dhe fliste qartë, duke e përsëritur çdo çështje të rëndësishme tre herë. Në të njëjtën kohë ai ngrinte zërin dhe përdorte gjeste për t`ua lehtësuar njerëzve memorizimin e fjalëve të tij në mënyrë që t’ua përsërisnin ato të tjerëve.

Ai e mbante gjithmonë trupin drejt duke shprehur kështu besim dhe forcë; ecte shpejt duke shprehur vendosmëri dhe fytyra e tij ishte gjithmonë e qeshur. Ai i jepte njerëzve vëmendje të plotë, duke e kthyer të gjithë trupin dhe jo vetëm kokën në drejtimin e tyre. Kjo i bënte ata të ndjehen të rëndësishëm dhe të vlerësuar. Kur zemërohej, ai thjesht shikonte mënjanë, duke e shprehur kështu mospëlqimin e tij. Në takime, ai nuk rezervonte një vend të veçantë për vete, por ulej kudo duke shprehur barazi, dhe kishte kontakt direkt me të tjerët duke treguar afrueshmëri.

Pin It