Ai (s.a.s) rrënjosi në zemra Islamin, me bujari

Bujaria e Profetit (a.s.) ishte një prej shkaqeve që shumë njerëz e përqafuan fenë Islame. Njëherë një njeri erdhi tek Profeti (a.s.), ndërsa ai i dhuroi një luginë me dhen. Ky njeri shkoi tek populli i tij dhe u tha: “O njerëz! Besoni, sepse Muhamedi jep aq shumë saqë nuk ka frikë nga varfëria.”

Profeti (a.s.) ishte aq bujar saqë edhe kur ishte në shtratin e vdekjes e porositi Aishen që të jepte sadaka. Aishja thotë: “Kur sëmundja e rëndoi Profetin (a.s.) kishte shtatë ose nëntë dinarë. Ai tha: O Aishe, çfarë bëre me ato monedha? I kam unë – u përgjigja. Jepi sadaka- më tha! Mirëpo unë u mora me diçka tjetër dhe nuk i shpërndava. Më vonë ai më pyeti përsëri: O Aishe, çfarë bëre me monedhat? I kam akoma – u përgjigja. M’i jep– më tha. I solla dhe ia vura në dorë, pastaj tha: “Si do ta mendoje Muhamedin dhe ai e takon Allahun duke pasur me vete këto?!” [Ibn Hibani].

Profeti (a.s.) nuk grumbulloi pasuri (ndërkohë që kishte mundësi ta bënte një gjë të tillë), sepse ai e dinte mjaft mirë se pasuria është mjet dhe jo qëllim. Prandaj, ai e shfrytëzoi pasurinë për të afruar njerëzit. I dha pasuri parisë së Mekes, Ebu Sufjanit, Hakim ibnu Hizamit, Harith ibnu Hishamit dhe Nadir ibnu Harithit. Po ashtu, Ai (a.s.) u dha pasuri edhe kryetarëve të fiseve arabe si Ujejne ibnu Husnit apo Akrau ibnu Habisit. Bujaria e Profetit (a.s) ka qenë shkaku kryesor i rrënjosjes së Islamit në zemrat e këtyre personave. Në këtë kontekst nuk ka fjalë më të bukur se fjala e hz. Enes, i cili ka thënë: “Njeriu i cili e pranonte Islamin e pranonte për të mirat materiale të kësaj bote, por në momentin që hynte në këtë fe madhështore, Islami për të ishte shumë herë më i dashur se jeta e kësaj bote”.

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It