As poezi e as prozë poetike…

Në periudhën kur zbriti Kur’ani, poezia kishte marrë një zhvillim të jashtëzakonshëm. Njerëzit e përdornin të folurit poetik pothuajse edhe në bisedat e zakonshme dhe grindjet. Çdo vit organizoheshin konkurse poetike dhe poezia fituese shkruhej mbi një copë me shkronja të arta dhe varej në muret e Qabes për të qëndruar aty gjer në konkursin e vitit të ardhshëm. Me fjalët e poetëve, të cilët konsideroheshin si heronj kombëtarë, fiset hynin në luftë ose bënin paqe. Meqë Muhammedi ish rritur mes tyre, të gjithë mekasit e dinin fort mirë se ai s’ishte marrë kurrë as me poezi, as me prozë poetike, as me ligjëratë prozaike. Ndërkaq, shprehjet enigmatike dhe mrekullore të Kur’anit nuk u ngjanin as shprehjeve të tij, as të të tjerëve, ato nuk hynin as në fushën e poezisë dhe as të prozës së zakonshme dhe asaj poetike, por, me origjinalitetin e tyre të posaçëm i mrekullonin dhe i magjepsnin të gjithë! Prandaj, parësia e politeistëve të cilët kërkonin t’i largonin njerëzit nga Kur’ani, përpiqeshin t’i kundërviheshin, sipas tyre, me këto fjalë: “Po të themi se është poezi, s’është, po të themi se është prozë poetike, s’është, po të themi se është fjalë orakulli, s’është; as si vepër e një të çmenduri s’ngjan; po u themi njerëzve se është magji, prandaj t’i mbyllin veshët se, ndryshe, i zë magjia!” Por, ndërsa mblidheshin, diskutonin e vendosnin së bashku kështu, kur vinte nata, nuk rrinin dot pa shkuar fshehurazi nga njëri-tjetri për të dëgjuar Kur’an! Njerëz që e donin të vërtetën, si poetët e njohur Hansa dhe Lebid, pasi u bënë muslimanë, e lanë poezinë dhe, kur u kërkohej të bënin poezi, shkruanin një sure nga Kur’ani dhe ua dërgonin kërkuesve duke ua theksuar këto fjalë: “Pas këndimit të Kur’anit, unë kam turp të shkruaj poezi!”

Pin It