Asnjë dhuratë më e bukur se durimi

Ebu Seid Sa’d ibnu Malik ibnu Sinan El Hudri transmeton: “Një grup njerëzish nga ensarët kërkuan nga Profeti (a.s.) që t’u jepte diçka dhe ai u dha. Ata i kërkuan përsëri dhe ai përsëri u dha, derisa i mbaroi gjithçka kishte. Kur e harxhoi gjithçka kishte, tha: “Çdo të mirë që e posedoj nuk do t’ua kursej, mirëpo ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë; ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e kompletuar sesa durimi.” [Buhariu dhe Muslim]

 

Në këtë hadith, vërehet mjaft qartë butësia, mirësia dhe sjellja e pashembullt e Profetit (a.s.) me shokët e tij. Ai nuk u dëshpërua nga humbja e asaj që kishte, madje me dashurinë më të madhe që kishte për ta u tha: “Çdo të mirë që e posedoj nuk do t’jua kursej.” I tillë ishte Profeti (a.s.), asnjëherë nuk kursehej për shokët e tij. Jo vetëm kaq, por ai nuk kursehej për askënd që vinte dhe i kërkonte diçka. Por, megjithatë, përkundrejt gjithë kësaj bujarie të pashembullt nga ana e tij, ai në të njëjtën kohë ishte mësues dhe edukator mjaft i mirë.

Ai, pasi ua vërtetoi me fjalë dhe vepra se nuk kursen asgjë për ta nga gjërat e tij, tha: “Mirëpo ai i cili kërkon dëlirësi, Allahu ia jep atë, ai i cili kërkon pavarësi, Allahu ia jep atë dhe ai i cili kërkon durim, Allahu do t’ia japë atë. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë dhe më e kompletuar sesa durimi.”Këto orientime profetike rikthejnë çdo gjë në ekuilibër dhe formojnë personalitetin e myslimanit duke e ruajtur dhe mbrojtur karakterin e tij, sepse në të vërtetë Allahu është Furnizuesi më i mirë.

Pin It