Aspekte të mrekullisë së Kur’anit

Ixhaz” është emri që i është dhënë dukurisë së Kuranit për t’i sfiduar të gjithë njerëzit në të gjitha kohërat, por veçanërisht bashkëkohësit arabë të Profetit, për të prodhuar një vepër që të ishte e barabartë me të në bukuri e përsosmëri. Ai përmban dy elemente: i pari është karakteri prej natyre i Kuranit, i cili, kur perceptohet prej mendjes së aftë për ta perceptuar atë, prodhon ndjenjën e mahnitjes, të të qenit i prekur, të të ndierit të vlerave më të larta e më të thella, shkurt, të përballjes së realitetit përfundimtar me të gjitha përvojat shoqëruese për një përballje të tillë. E dyta është të kuptuarit e dallimit që ndan njeriun, perceptuesin, nga Zoti, i perceptuari, një tregues i të cilit është paaftësia e njeriut për të prodhuar diçka të ngjashme me Kuranin. E para është prej natyre për Kuranin; e dyta, për njeriun. Arabët të dytës i thonë thjesht “ixhaz”, dukuri apo ngjarje e të mrekullueshmes; por të parën e quajnë “vuxhuh el ixhaz” apo aspekte të mrekullisë së Kuranit.

Ixhazi, si ngjarje, ka ndodhur mes arabëve besimtarë e jobesimtarë gjatë kohës së Muhamedit, si dhe mes myslimanëve në të gjitha epokat dhe është një fakt i pamohueshëm i historisë. Sfida e Kuranit ndaj jobesimtarëve dhe dështimi i tyre për t’u përballur me këtë sfidë është regjistruar në Kuran me shije (takrî). Sidoqoftë, ixhazi nuk është një ngjarje e historisë. Sfida e Kuranit, si dhe suksesi i saj, nuk njohin kohë. Prova për këtë është forca e Kuranit për të konvertuar njerëzit në Islam, për t’i bindur ata menjëherë për prejardhjen e tij hyjnore. Nuk ka njeri që të lexojë atë që myslimanët kanë shkruar në lidhje me përvojën e tyre me Kuranin, apo që vëzhgon ndikimin e Kuranit mbi ndërgjegjen, jetën dhe mendimet e tyre, dhe të mund të shmangë përfundimin se Kurani ka një karakter të tillë.

Pin It