Bashkia:Të vlefshme abonetë me pullë dhe pa pullë

Në linjat e transportit urban të Tiranës do të njihen të dyja llojet e aboneve që janë në qarkullim, me dhe pa pullë. Sipas shoqatës së transportit urban, pulla është një element shtesë sigurie për të shmangur abonetë false. Para dy ditësh, Bashkia bëri me dije se do të njihen vetëm abonetë pa pullë, për sa i përket abonesë së përgjithshme dhe abonesë së studentit. Drejtori i shoqatës Ferdinand Ibrahimi tha se për 13 operatorët e shoqatës abonetë do të njihen njësoj.

“Ne i informojmë të gjithë qytetarët e Tiranës, kushdo që blen abone, qoftë të përgjithshme dhe qoftë studenti, në të dyja rastet aboneja është në rregull. Pra nuk ka asnjë keqkuptim. Të gjitha abonetë, si me pullë si pa pullë do të shiten. Por këto që janë pa pullë është detyra jonë që t’i shikojmë me kujdes që të mos fallsifikohen abonetë, sepse ka pak elementë sigurie”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi sqaron se sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak, janë vetë operatorët ata që vendosin pullën si element shtesë sigurie për të evituar qarkullimin e aboneve false. “Në një shkresë që kemi bërë në vitin 2013 me Bashkinë u kemi thënë që për të ruajtur abonetë nga falsifikimi, përveç kartonit dhe abonesë ketë muaj e kemi vënë të jetë me pullë. Ka pasur raste që i kemi vendosur shirit”, tha për Report Tv drejtori i shoqatës Ferdinand Ibrahimi.

Sipas njoftimit të bashkisë, me qëllim shmangien e informalitetit, keqmenaxhimit të shpërndarjes dhe përdorimit, si dhe për të rritur elementet e sigurisë, biletat e pajtimit mujor (abonetë) të përgjithshme dhe studenti, duhet të jenë të pajisura vetëm me një karton shoqërues si element shtesë sigurie pa pullë.

Pin It