Belshi, qyteti pa hotele… ndizen dritat e bujtinës së parë

Bëhet fjalë për Belshin, i famshëm për liqenet dhe historinë e tij.

Ishte një projekt i USAID, ambasadës suedeze për zhvillimin e turizmit në këtë trevë dhe se i vetmi problem ishte mungesa e hoteleve dhe bujtinave për vizitorët vendas e të huaj.

Por tashmë duket se ky projekt është finalizuar. Bujtina e parë ka çelur dritat dhe pritet të shoqërohet me të tjera.

Edhe pak ditë e ndajnë këtë qytezë nga hapja zyrtare e Agroturizmave në Belshin Turistik.

Ndodhet fare pranë Elbasanit,Tiranës, Gramshit dhe Kuçovës, me një bukuri të rrallë dhe një histori tepër intriguese.

Në përgjithësi është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene,midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese dhe  disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujrat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorit.

 Belshi të befason dhe  me vlerat historike  dhe arkelogjike të tij. Në qendër të historisë qëndron kalaja e Gradishtit, historia për princin ilir të Belshit, gjurmët dhe ritet e Afërditës ilire të periudhës helenistike të Belshit.

Gradishta është një fshat i zonës dhe e ka historinë e vet që nga  periudha  mesme e bronzit.

Është quajtur dhe “Akropoli” i Dumresë, me një  e lartësi  180 m nga ku Dumreja shihet si në në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike.

Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën të cilat janë zbuluar në ujërat e liqenit.

Kështu, zona po kthehet  në një atraksion të përhershëm turistik dhe po  merr dhe një zhvillim ekonomik të hovshëm.

Krahas turizmit, e ardhmja e zonës është bujqësia dhe blegtoria, pasi Dumrea ka kushte të përshtatshme klimatiko-tokësore për kultivimin e shumë kulturave bujqësore.

Dumreja dhe Belshi janë shumë afër dhe presin të investohen, që ti bashkohen bukurisë turistike shqiptare. /ATA/

Pin It