Biseda e Heraklitit me Ebu Sufjanin

Profeti i shkroi një letër Heraklitit të Perandorisë Bizantine në të cilën e ftonte në Islam. Letrën ia dërgoi me Dihja al-Kalbin. Profeti e udhëzoi atë t’ia dorëzonte letrën guvernatorit të Busrës që më pas do ta dërgonte në duart e Heraklitit.Pasi Zoti e ndihmoi ndaj ushtrive persiane, Herakliti udhëtoi nga Emesa (në Sirinë qendrore) drejt Jeruzalemit, në shenjë mirënjohjeje për fitoren e arritur. Kur letra e Profetit a.s mbërriti tek ai, Herakliti e lexoi dhe tha, “Kërkoni për ndonjë pasues të tij këtej rrotull sepse dua t’i bëj disa pyetje rreth të dërguarit të Zotit.”
Rastisi që në atë kohë Ebu Sufjani ishte në Siri së bashku me disa pjesëtarë të tjerë të fisit kurejsh. Ata kishin shkuar për tregti gjatë kohës që mes Profetit dhe mosbesimtarëve të Mekës ishte në fuqi marrëveshja e armëpushimit.

Ebu Sufjani më pas tregon, “I dërguari i Heraklitit na gjeti në një zonë të Sirisë dhe së bashku me shokët e mi më morri në Jeruzalem. Atje na  dërguan përpara Heraklitit, që qëndronte i ulur në dhomën e tij mbretërore, me kurorën në kokë dhe fisnikët bizantinë rreth tij.”
Pastaj Herakliti i tha përkthyesit të tij:  “Pyeti cili prej tyre ka lidhje më të afërta farefisnore me këtë njeri që pretendon se është profet.”

Ebu Sufjani, i cili në atë kohë nuk ishte musliman, u përgjigj se ai kishte lidhje më të afërta farefisnore me të. Herakliti pyeti, “Ç’lidhje ke ti me të?”
Ebu Sufjani u përgjigj, “Ai është djali i xhaxhait tim.” Pastaj Herakliti tha, “Silleni më pranë,” dhe Ebu Sufjani u afrua duke lënë pas shpatullave shokët e tij. Pastaj ai i tha përkthyesit të tij, “Thuaji shokëve të tij që do ta pyes rreth këtij njeriu që pretendon se është profet; prandaj nëse thotë ndonjë gënjeshtër, le të kundërshtojnë.” Më vonë Ebu Sufjani pranon se do të kishte gënjyer rreth Profetit, nëse nuk do t’i frikësohej faktit se shokët e tij do të përhapnin fjalë se ai është gënjeshtar. Për këtë arsye ai tha të vërtetën.

Herakliti pyeti nëpërmjet përkthyesit të tij, “Ç’reputacion ka ky njeri mes jush?” Ebu Sufjani u përgjigj, “Ai është trashëgimtar fisnik.” Heraklitit pyeti, “A ka pretenduar më parë ndonjëri nga njerëzit tuaj atë që ky njeri pretendon se është?” Ebu Sufjani tha, “Jo!” Herakliti  pyeti, “ A ka qenë ndonjëri nga paraardhësit e tij mbret? “Ebu Sufjani u përgjigj, “Jo!” Herakliti  pyeti, “Të pasurit apo të vobektët e dëgjojnë dhe e pasojnë?” Ebu Sufjani u përgjigj, “Kryesisht të pafuqishmit.” Herakliti pyeti, “A po shtohet apo pakësohet numri i atyre që e dëgjojnë?” Ebu Sufjani, “Po shtohet.”

Herakliti  pyeti, “A ka ndonjë qejfmbetur nga ata që kanë pranuar fenë e tij?” Ebu Sufjani tha, “Jo!” Herakliti pyeti, “A është i pabesë?” Ebu Sufjani tha, “Jo, por tani jemi në armëpushim me të dhe kemi frikë se mund të na tradhtojë.” Më vonë Ebu Sufjani pranon se kjo ishte fjala më e keqe që mundi të thotë kundër Muhamedit.

Herakliti vazhdoi, “Pra keni luftuar me njëri-tjetrin?” Ebu Sufjani tha, “Po!” Herakliti pyeti, “Si kanë përfunduar betejat tuaja?” Ebu Sufjani tha, “Përballjet tona kanë rezultuar të paparashikueshme; ndonjëherë ka fituar ai dhe ndonjëherë kemi fituar ne.” Herakliti pyeti, “Çfarë kërkon nga ju?” Ebu Sufjani u përgjigj, “Kërkon që të adhurojmë një Zot të vetëm, të mos shoqërojmë asgjë me këtë hyjni të vetme. Na urdhëron të mos adhurojmë idhujt e paraardhësve tanë. Na kërkon të falemi, të bëjmë bamirësi, të jemi të pastër; dhe të përmbushim premtimet tona.”

Kur Ebu Sufjani tha këtë, Herakliti i tha përkthyesit të tij t’i thoshte, “Të pyeta për prejardhjen e tij dhe ti më the se është njeri fisnik. Të gjithë profetët kanë qenë pasardhës fisnikë në mesin e popujve të tyre.Pastaj të pyeta nëse ndokush përpara tij kishte thënë të njëjtat gjera, dhe ti më the jo. Unë të them që nëse dikush tjetër përpara tij do të kishte pretenduar të njëjtën gjë, atëherë ai do të ishte thjesht ndjekës i tij. Pastaj të pyeta nëse kishte gënjyer ndonjëherë përpara se të fillonte të predikonte besimin në Zot, dhe ti më the jo. Kuptova menjëherë se ai nuk gënjen për Zotin përderisa nuk ka gënjyer kurrë mes njerëzve. Pastaj të pyeta nëse ndonjëri nga paraardhësit e tij ka qenë mbret, dhe ti m’u përgjigje se asnjëri nuk ka qenë i tillë. Unë po të them se nëse ndonjëri nga paraardhësit e tij do të kishte qenë mbret, atëherë ai po kërkon mbretërinë e etërve të tij. Pastaj të pyeta nëse e ndjekin shtresat e larta apo njerëzit e pafuqishëm, dhe ti më the të pafuqishmit. Të tillë janë pasuesit e profetëve. Pastaj të pyeta nëse pasuesit e tij po shtohen apo pakësohen, dhe ti më the se po shtohen. I tillë është besimi i vërtetë, derisa të mbizotërojë. Të pyeta edhe nëse ndonjëri nga ata që kanë vendosur të ndjekë besimin e tij është kthyer pas i pakënaqur dhe ti më the se askush nuk e ka bërë diçka të tillë. Besimi sjell gëzim në zemra dhe askush nuk largohet më prej tij. Pastaj të pyeta nëse sillet me pabesi, dhe ti më the që jo. Të tillë janë të gjithë profetët; kurrë nuk bëjnë tradhti. Pastaj të pyeta nëse keni luftuar mes jush dhe ti më the se po, edhe pse betejat herë i keni fituar ju dhe herë ai. Të gjithë profetët janë sprovuar me humbje edhe pse në fund kanë rezultuar fitimtarë. Të pyeta edhe se çfarë kërkon prej jush, dhe ti më the se kërkon që të adhuroni Zotin, të mos i bëni shok atij dhe të mos adhuroni idhujt e paraardhësve tuaj. Dhe se iu urdhëron të faleni, të bëni bamirësi dhe të jeni të pastër, të mbani premtimet dhe të jeni besnikë. Ky është përshkrimi i një profeti të vërtetë. E dija që do të vinte, por nuk mendoja se do të dilte prej mesit tuaj. Nëse ajo që the është e vërtetë, shumë shpejt ai do të sundojë tokën poshtë këmbëve të mia. Nëse jam gjallë deri atëherë do të shkoj vetë ta takoj. Nëse do të gjendem pranë tij, do t’i laj këmbët me duart e mia.”

Pastaj Herakliti kërkoi që letra e Profetit të lexohej me zë të lartë. Në të shkruhej:

“Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Nga Muhamedi, rob dhe i dërguar i Zotit, për Heraklitin, sundues i Bizantit. Paqja qoftë mbi ata që zgjedhin rrugën e drejtë. Prej këtij çasti, të thërras në rrugën e nënshtrimit ndaj Zotit. Dorëzoju Zotit, dhe do të jesh i sigurt. Dorëzoju Zotit, dhe Zoti do të të shpërblejë dyfish. Nëse refuzon, mëkatet e njerëzve nën sundimin tënd do të rëndojnë mbi ty. Njerëz të librit, ejani të bashkohemi tek një fjalë e drejtë, se nuk do të adhurojmë tjetër veç Zotit pa i shoqëruar asgjë adhurimit tonë, dhe se nuk do të konsiderojmë zot askënd veç Allahut. E nëse refuzoni atëherë thoni, “Dëshmojmë se ju i jeni dorëzuar Zotit.”

Pasi Herakliti përfundoi fjalimin e tij, fisnikët bizantinë që e rrethonin shpërthyen në të qara. Aq të forta ishin vajtimet e tyre sa Ebu Sufjani nuk mund të kuptonte çfarë  po thoshin. Pasi pjesëtarët e fisit të kurejshëve u larguan nga pallati i perandorit të Bizantit dhe mbetën vetëm, Ebu Sufjani iu tha, “Pozita e Muhamedit është fuqizuar, edhe mbreti i verdhacukëve i frikësohet atij!” Më vonë Ebu Sufjani shprehet, “Pasha Zotin isha i bindur se çështja e Muhamedit do të triumfonte, edhe pse e kundërshtoja atë, derisa Zoti më dhuroi Islamin në zemër pavarësisht armiqësisë që kisha treguar.”

 

Burimi: profetimuhamed.info

Pin It