“Borxhet e mia”-Xhevahir Spahiu

BORXHET E MIA

Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë a në dhomat e gazit
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit qe s’ia hodha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë qe ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit qe s’i vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13 që s’ia mbylla plagët
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e nje kohe të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë piken ketu.
Tani mund të flisni
për borxhet që me kini ju.

Pin It