Britania mban sot zgjedhjet e përgjithshme

Në Britani mbahen sot zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të përcaktojnë se kush do t’i udhëheqë negociatat për daljen e këtij vendi nga Bashkimi Evropian. Britania ka vendosur të largohet nga blloku në një referendum, të mbajtur vitin e kaluar. Analistët politikë thonë se zgjedhjet mund të kenë ndikim edhe në vendimin e Skocisë, për të mbajtur ose jo referendum të ri për pavarësi nga Mbretëria e Bashkuar.

Votuesit – rreth 46.9 milionë të regjistruar – do të zgjedhin 650 deputetë.Partia Konservatore e kryeministres Theresa May pritet të zgjerojë shumicën në Parlamentin britanik, por jo sa ka shpresuar. Sondazhet më 4 qershor e kanë nxjerrë atë në epërsi me rreth 43 për qind të votave, përballë Laburistëve me 36 deri në 37 për qind.

Dy partitë tjera kryesore në këto zgjedhje – Partia Kombëtare Skoceze e udhëhequr nga Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, dhe Partia Liberal-Demokrate e udhëhequr nga Tim Farron, i kundërshtojnë planet për dalje nga BE-ja dhe nga tregu i përbashkët evropian.

Zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit janë thirrur nga kryeministrja May në fillim të prillit – tre vjet përpara se të skadojë mandati i deputetëve.

Një tjetër çështje që ka dominuar fushatën zgjedhore, ka qenë siguria kombëtare. Britania është goditur nga tre sulme terroriste në muajt e kaluar. Më i fundit ka ndodhur më 3 qershor në Londër, ku militantët islamikë kanë vrarë shtatë persona dhe kanë plagosur 48 të tjerë. Theresa May shihet si lidere më e besueshme në luftën kundër terrorizmit, pasi, në të njëjtën kohë, dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me aleatët e NATO-s. /Rel/

Pin It