“Burka e Medeas”, vjen në teatër monodrama me tema nga aktualiteti

Monodrama “Burka e Medeas” shkruar nga autori grek Andreas Flourakis dhe me regji nga Ema Andrea do të jetë premierë, pas disa ditësh, në skenën  e Teatrit të Kukullave për publikun. Regjisorja Ema Andrea këtë herë ka zgjedhur këtë vepër të autorit Flourakis, e cila do të interpretohet nga aktorja e njohur Erjona Kakeli.

Vepra është përkthyer nga Romeo Çollaku, kompozitor Alban Laro, kostumografe Desantila Lika, skenografia nga Klod Dedja dhe asistente Melisa Becoviç si dhe Ermir Jonka.

“Është një monodramë e ditëve të sotme, ku prek me shumë finesë disa tema si emigracionin, dhuna ndaj gruas, dashurinë mes dy kulturash të ndryshme bashkë me një shkrirje interesante të antikitetit”, pohon mes të tjerave aktorja Kakeli për monodramën, që do të vijë premierë në skenën e Teatrit të Kukullave, hapësirë që po shfrytëzohet dhe nga të tjerë artistë për shfaqjet e tyre për publikun.

Janë dy artiste tashmë të njohura dhe të vlerësuara në jetën artistike të teatrit, çka premton të sjellin dhe një tjetër sukses me këtë vepër teatrore. Aktorja Erjona Kakeli tregon se prej disa ditësh po zhvillojnë provat për premierën dhe sipas saj është një vepër që përcjell jo pak mesazhe.

“Burka e Medeas” shkruar nga autori grek Andreas Flourakis vitin që kaloi ishte pjesë e netëve të leximit të dramës Ballkanike në Tiranë, një aktivitet që pati jo pak vëmendje për autorët dhe veprat e shkruara. Një monodramë e ditëve të sotme  do të vijë në skenën e teatrit në data 3, 4, 10 dhe 11 qershor./ATA/

Pin It