Çka është Islami?

Ajo dituri, pa kurrfarë lajthitje, ato urdhra dhe porosi të pakundërshtueshme, të cilat më i Madhi i gjithë njerëzisë që mban në mend historia, i dalluari ndër të gjithë pejgamberët, Muhamedi (a.s), që e mësoi dhe e vuri në praktikë, përmblidhet në fjalën Islam. Ky besim, për të cilin i Madhi Zot tha në Kur’anin e Shenjtë: “Ky Besim, Besimi Islam është Imi”, u mboll në kokë dhe në zemër të njerëzve se si adhurohet një Zot i Vetëm, dhe se si duhet njeriu t’i bindet ligjeve të Tija Hyjnore, nëse ata dëshirojnë ta gjejnë lumturinë e të dy botëve.

Si thotë vetë ky Besim dhe si e cek Kur’ani Famëlartë në shumë vende, Besimi Islam më së pari nuk filloi vetëm me Muhamedin (a.s). Ky besim përtëriti dhe këndelli shpirtin e vërtetë besimtar, shpirt ky që do ta përfshinte jo një komb a komunitet, por mbarë njerëzimin, mbarë botën, se Zoti në Kur’anin e Tij e kujton me këto fjalë të dashurin e Vet, Muhamedin (a.s): “O ti Muhamed, o i mbrami i gjithë Pejgamberëve, ato që po t’i porosis nën emrin Besim, nuk janë gjë tjetër përveç asaj që e porosita Nuhin, Ibrahimin, Musain dhe Isain. O ju popuj, ruajuni e mos krijoni ndasi në çështjet e Besimit”. Pra Muhamedi (a.s) e tha atë çka e thanë pejgamberët që erdhën para tij: “Zoti është Një e i pashok!”…

Burimi: H. Ali Kraja, Çka është Islami?, Zani i Naltë, XVII 2014,nr.7(160), fq.5

Pin It