Destinacion: Martaneshi

Është një vend  malor me një natyrë të pasur që kufizohet me pesë rrethe të zhvilluara si, Dibrën, Librazhdin, Elbasanin, Tiranën dhe Matin.

Pak e përmendur në përditshmërinë tone gjeografike, por e pasur me resurse mjedisore dhe turistike.

Krahina e Martaneshit njihet për relievin e saj malor dhe një nëntokë të pasur me minerale.

Këtu buron lumi Mat, me rrjedha të forta nga ku krijohen dhe kanione të thella, që sot mund të shfrytëzohen për turizmin sportiv të raftingut.

Martaneshi është një trevë e banuar që në lashtësi. Në fshatin Gjon janë gjetur arkifakte që nga periudha neolitike që e vërtetojnë këtë.

 

Maja malore më e lartë është ajo e Dhoksit, në 2020 m lartësi, e  pasur me bimë endemike dhe mjekësore. Sherebela, trumza, lule blini, çaji i malit, rriten në këtë zonë. Trofta e ujërave te embla në këtë komunë është karaktersitike. Zona si ajo e Ballenjës dhe Bizës, janë shpallur zona të mbrojtura.

Pavarësisht bukurive natyrore, turizmi malor në këtë zonë nuk njeh zhvillim për shkak të infrastrukturës së dobët dhe mungesës së investimeve.

Kohët e fundit është investuar në mënyrë private në ngritjen e dy hidrocentraleve, që janë kthyer në burim fitimi dhe punësimi për disa prej
banorëve, në fshatrat afër Krastës. Punëtorët në këto hidrocentrale na tregojnë se këto aktivitete, që janë në bashkëpronësi të investitorëve të huaj dhe shqiptarë, ndikojnë shumë në përmiresimin e jetesës së tyre, pasi shumë prej tyre e gjejnë veten të punësuar aty duke iu sjellë të ardhura dhe mirëqenie.

Rrugët që lidhin fshatrat janë në gjendje të keqe jo vetëm prej relievit të vështirë, por edhe prej mungesës së investimeve. Shumë pranë Bulqizës, por edhe kryeqytetit, realiteti i kësaj zone  duket i një tjetër  jetë.

Gjithe shpresa e kësaj zone për një zhvillim ekonomik, varet te ndërtimi i Rrugës së Arbrit.

Me ndërtimin e Rrugës së Arbërit, largësia nga kryeqytetit në këtë zonë shkurtohet nga 4 orë në 1 orë e gjysmë. Ndërtimi i kësaj rruge, përveç se do të shkurtonte largësinë, do të shërbente për zhvillimin ekonomik të zonës, për tregtimin e produkteve blegtorale dhe bujqësore, por mbi të gjitha, për zhvillimin e një turizmi gjithevjetor për shkak të resurseve të shumta natyrore që mbart.

Deri në momentin që kjo të ndodhë, kjo zonë do të mbese një vend pak i shkelur prej vizitorëve dhe turistëve të huaj, pavaresisht që mbart në vetvete resurse të shumta për turizmin natyror, kulturor, historik dhe etnografik. /a.ke/

 

 

Pin It