Destinacion: Parku Kombëtar “Qafë Shtamë”

Qafe_Shtame

Parku Kombëtar “Qafë Shtamë”.

Ky është një park në afërsi të qytetit të Krujës dhe rrugëtimi drejt tij është mjaftë komod për shkak të një rruge të asfaltuar e të mirë.

Aty gjendet  masivi pyjor mbase më interesanti dhe më pak i eksploruari dhe i publikuari për turizmin Shqiptar. Një vend piktoresk, ku teksa ndjen erën e pishave, ahut e dëllinjave, të thuash se është një mrekulli që duhet shfrytëzuar.

Me një sipërfaqe prej 2000 hektarësh dhe vendndodhje  rreth 25 kilometra në verilindje të qytetit të Krujës, ai mbetet një perlë malore, kaq pranë kryeqytetit.

Ndër vite, një zonë e harruar, tashmë banorët e saj jetojnë me shpresën e realizimit  të turizmit gjithëvjetor që zhvillohet në këtë zonë.

Kjo është një zonë që merret kryesisht me blegtori me bujqësi dhe së fundmi edhe me turizëm.

Pyjet, ajri i pastër, ushqimi i freskët dhe tradicional dhe mbi të gjitha uji i pijshëm  i kësaj treve,është i veçantë.

Parku ka filluar të ruhet e të mirëmbahet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor, i cili nuk është prekur nga keqbërësit e pemët nuk janë dëmtuar dhe këtu, një ndihmë të madhe mësohet se kanë dhënë edhe banorët e zonës, të cilët e ruajnë me fanatizëm parkun e tyre.

Zona kufizohet me pellgun e Bovillës nga jugu i saj, dhe është ekologjikisht e lidhur ngushtë me të. Gjithë zona dallohet për vlerat natyrore dhe pyjet e virgjër.

Gjithashtu, burimet e saj janë të njohura për vlerat kuruese, ku dallohet Kroi i “Nënës Mbretëreshë”, pranë Qafë-Shtamës, rreth 1.100 metra mbi nivelin e detit, midis pyllit të pishës së Parkut Kombëtar.

Emrin e ka marrë në vitet 1930-të, sepse këtu merrte ujin e pijshëm familja mbretërore, teksa një kamion bënte çdo ditë rrugën Tiranë-Qafë Shtamë.

Uji i burimeve të Qafë Shtamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por edhe i pasur me magnez.

Ndërsa Kroi bën pjesë në listën e monumenteve të natyrës shqiptare.

Aty sot është ngritur një qendër kuruese për sëmundjet e mushkërive dhe një impiant për ambalazhimin e ujit të pijshëm.

Po bëhen përpjekje  që të zgjerohet kjo zonë e  mbrojtur në të ardhmen e afërt, duke përfshirë në të edhe malin e Skënderbeut.

Kjo, për banorët do të thotë të mos hedhin më sytë nga qyteti për të ndërtuar jetesën, por t’u përkushtohen pronave të tyre dhe t’i zhvillojnë ato. Aty kanë filluar të ngrihen bujtinat dhe hotelet e para për pritjen e turistëve.

Parku Kombëtar i Qafë Shtamës, ndodhet jo larg Tiranës dhe Aeroportit “Nënë Tereza” nga ku vizitorët e huaj që mbërrijnë në vendin tonë

dhe janë kurioz të sodisin natyrën e bukur të vendit, Qafë Shtama është destinacioni më i afër.

Aty do të gjejnë të ndërthurur natyrën me historinë. Shumë vizitor tashmë e njohin këtë destinacion turistik dhe e vizitojnë në çdo stinë të vitit.

Edhe në këtë sezon kur bora e lartësive akoma nuk ka shkrirë, vizitorët nuk mungojnë në Qafë Shtamë.

Janë grupe turistësh të huaj dhe të rinjtë të organizuar nga Tirana apo qytete të tjera.

Shpeshherë grupet turistike në këto lartësi shoqërohen dhe nga specialist guidator të Administratës së Zonave të Mbrojtura (AdZM) e Durrësit. Ata e njohin mirë zonën dhe shtigjet që mund të shfrytëzohen për lëvizje turistike.

 

Pin It