Destinacion: Pogradeci, perla e juglindjes

Me një sipërfaqe prej 13 km dhe një popullsi prej 40 000 banorësh, Pogradeci është një qytet që mund të vizitohet vetëm duke e shëtitur në këmbë. I vendosur përgjatë kodrave në formën e një teatri, shkallaret e të cilit zbresin drejt liqenit ai dallohet për sipërfaqet e mëdha të gjelbëruara.

Pogradeci ka shëtitore të gjera, në të cilat mund të gjesh akoma xhiron tradicionale të qyteteve shqiptare. Të tilla janë shëtitoret Lasgush Poradeci, Fan Noli  apo sheshi Reshit Çollaku, ku ndodhen institucionet kryesore. Ndërsa shëtitorja ‘’Dhjetë Dëshmorët e Pojskës” dallohet për gjatësinë e saj. Ajo nis që nga qendra e qytetit dhe vijon në lindje drejt Tushemishtit. I gjithë bregu përgjatë saj shfrytëzohet për plazh gjatë stinës së verës, shëtitje, vrapime, sport, peshkim, etj. Bregu është ranor me një shtresë të trashë dhe të bardhë rëre. Këtu ndodhen hotelet, apartamentet, shtëpitë e pushimit, rezidencat qeveritare, stacioni meteorologjik, etj.

Disa nga personalitetet që kanë dalë nga ky qytet janë shkrimtarët poetë Llazar Gusho e Dhimitër Pojanaku, shkrimtari Dhimitër Pasko, Kryepeshkopi Dhimitër Kokoneshi-Kryetar i KOASH, akademiku Kopi Kyçyku, studjuesi Luan Starova, kineasti Esat Oktrova, përkthyesja Meri Lalaj, aktorja Marjeta Ilo-Ljarja, këngëtarja Ermira Babaliu, fotografi Ardian Fezollari, piktorët Anastas Kostandini, Vangjo Vasili, Skënder Lako dhe Gentian Zeka.

Dikur në fund të viteve ’70 në Pogradec punoi për një periudhë të shkurtër edhe shkrimtari Ruzhdi Pulaha, një nga përfaqësuesit më në zë të dramaturgjisë shqiptare. Këtu ai shkroi disa nga veprat e tij më të mira si “Maro Mokra”, “Zonja nga Qyteti” apo “Shoqja nga Fshati”, të cilat pasi u ekranizuan u futën në fondin e artë të kinemasë shqiptare.

Institucione të rëndësishme kulturore që ushtrojnë aktivitetin e tyre janë Pallati i Kulturës, Klubi Sportiv, Biblioteka, Muzeu, Galeria e Arteve, etj.  Aktivitete kulturore  të tjera që zhvillohen në Pogradec janë: Hapja  e sezonit turistik, Konkursi vjeshta poetike, Ekspozita e përvitshme e arteve figurative, Netët Poetike të Lazgushit, Festa e Verërave, e cila në prag të festave të mëdha të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, organizohet me ritin e hapjes së buteve.  “Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave” është një tjetër event i rëndësishëm, piknisje e të cilit u bë tradita e shkëlqyer e këtij teatri në Pogradec.

Duke qenë një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë, Pogradeci ka qenë gjithmonë i pëlqyer nga kineastët. Janë një sërë filmash që tregojnë liqenin, natyrën, njërëzit puntorë dhe bujarë të kësaj treve. Të tillë mund të përmendim filmat ‘’Mëngjese Lufte’’, ‘’Zonja nga Qyteti’’, ‘’Shoqja nga Fshati’’, ‘’Duaje emrin tënd’’, ‘’Rrethimi i vogël’’, etj.

pranë qytetit është edhe ekstremin i fundit i linjës hekurudhore lindore, Durrës-Pogradec

 Kuzhina

Prodhimet e tokës dhe të liqenit e bëjnë Pogradecin një vend të spikatur për nga kuzhina tradicionale dhe ajo e kultivuar. Mund të përmendim lakrorin me dy petë të pjekur në saç, qullnikun, byrekët, kuleçët, pastërmanë, tavat e perimeve me oriz, tavat e peshkut apo të mishit të pjekura në furrë, etj. Vetëm korani, peshku i famshëm i liqenit ka dhjetë receta gatimi, të cilat dinë ti gatuajnë vetëm mjeshtrit vendas. Ndërsa nga ëmbëlsirat e traditës më e preferuar mbetet bakllavaja.

Në restorantet dhe hotelet e shumta mund të shijoni kuzhinën e liqenit me gatime të skarës apo në tavë. Një specialitet më vete janë edhe gatimet e shpendëve në saç, apo kuzhina e gjahut, ku nuk mungojnë rosat, shapkat apo lepujt e egër. Edhe kuzhina e huaj është interesante me varietet e saj të shumta. Të gjitha këto prodhime mund të shijohen me raki rrrushi, mani, kumbulle dhe verën e famshme të Pogradecit që ruhet në bute prej druri.

ÇFARË MUND TË VIZITONI

Liqeni i Pogradecit

I krijuar rreth 2 milion vjet më parë nga mbushja me ujë e gropës tektonike, Liqeni i Ohrit është i dyti për nga madhësia në Shqipëri pas atij të Shkodrës. I ndodhur në lartësinë 695 m, ai ka një sipërfaqe prej 365 km2 nga të cilat Shqipërisë i përkasin vetëm 111.4 km2 . Gjithashtu ai është edhe liqeni më i thellë në gadishullin e Ballkanit me thellësi 287 m. Baseni i tij dallohet për tejdukshmërinë  e ujërave në të cilën rritet një florë dhe një faunë e pasur. Pastërtia e ujit është një tjetër karakteristikë e liqenit të Ohrit. Kjo vjen se ai furnizohet me ujë nga burimet karstike të Shën Naumit, Drilonit dhe Tushemishtit, si dhe nëpërmjet kanaleve nëntokësore nga liqeni i Prespës së madhe. Por liqeni Ohrit është liqen me derdhje, pasi prej tij, në Strugë buron Drini i Bardhë, 172 km i gjatë, një nga degët e lumit Drin. Përgjatë bregut të tij janë vendosur qyteti i Pogradecit dhe fshatrat e Linit, Hudenishtit, Memëlishtit dhe Tushemishtit, në të cilat është zhvilluar edhe peshkimi i Koranit dhe Belushkës, dy peshqve më të njohur nga 17 llojet që rriten në të. Për vlerat e shumta që bart liqeni i Ohrit është shpallur pasuri e Unesco-s.

Driloni

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, është një nga mrekullitë që natyra ka krijuar këtu. Ai ndodhet 5 km në lindje të Pogradecit, fare pranë fshatit turistik të Tushemishtit. Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tre vija uji që rrjedhin për tu derdhur disa dhjetra metra më tej, në bregun jug-lindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur. Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shegjeve lotues apo kallamishtet e bëjnë më të freskët dhe më të pastër ajrin që thith. Ndërsa lokalet, urat e drunjta, mjelmat dhe shpendët e tjerë që gjallojnë, si dhe peshku i freskët dhe vera e kuqe që serviret në lokalet këtu pranë, të bëjnë që të shkrihesh me natyrën.

Tushemishti

Tushemishti është një tjetër vend  i preferuar nga turistët. Ai përmendet qysh në shekullin e IX kur Shën Naumi, një shenjt lokal, manastiri i të cilit ndodhet disa kilometra aty pranë, vizitoi fshatin dhe bekoi lopët e tij. Ndërkohë që sot Tushemishti nuk është i përmendur vetëm për prodhimet e bulmetit, por edhe për kultivimin e koranit, pemët frutore dhe të turizmit i cili vitet e fundit ka marrë zhvillim të madh.

Ndërsa rrugët, shtëpitë dhe ambientet e tjera të tij janë përjetësuar dikur nga skenat e filmave të njohur shqiptarë ‘’Zonja nga Qyteti’’ dhe ‘’Shoqja nga Fshati’’, të cilët janë xhiruar këtu. Pikërisht për të përjetuar këtë fakt sot ruhet shtëpia e personazhit kryesor të këtyre kryeveprave kinematografike, Ollgës, busti i të cilës është vendosur në sheshin qendror të Tushemishtit, i cili tashmë quhet sheshi “Ollga”.

Lini

Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit. Nga lart, Lini, duket si një shputë dore që futet në liqen. Arkeologët kanë dokumentuar se ky gadishull shkëmbor është banuar qysh në periudhën e hekurit. Fshati është vendosur në anën perëndimore të tij dhe përbën një simbiozë të çuditshme midis njerëzve dhe natyrës. Brenda gjirit të mbrojtur në anën veriore ankorohen varkat e peshkatarëve, ndërsa në anën lindore të Linit ndodhen ‘’zagragjet’’, kopshtet e banorëve të tij, të cilat nuk janë veçse ngastra të vogla të rrethuara me mure guri, në të cilat kultivohen perimet.  Të quajtura si “dyqanet e familjes”, në to prodhojen sipas stinës domatet, specat, sallata jeshile, lakrat dhe veçanërisht qepët e kuqe të Linit, me të cilat gatuhet tava e famshme e peshkut.  I gjithë fshati përshkohet nga një rrugë gjatësore, përgjatë së cilës në të dyja anët janë vendosur shtëpitë dykatëshe.

Këtu është zhvilluar turizmi familjar ku banesat e fshatit janë përshtatur për shtëpi pushimi. Përveç plazheve, ajrit të pastër dhe të freskët, natyrës së bukur, kuzhinës dhe gatimeve në saç, Lini ofron edhe shëtitje dhe eskursione në natyrë përgjatë monopateve të kodrave. Midis plazheve të shumtë, si më i madhi dhe më i bukuri është ai i Neli Resort. I vendosur në rrëzë të shkëmbit të Barkalicës, ai dallohet për ujin e pastër, qetësinë, varkat dhe trampolinat. Përpara bregut të tij hapet një panoramë mahnitëse ku nëpërmjet pasqyrës së ujit shfaqen qartë Ohri me kështjellën e tij majë kodrës, Shën Naumi dhe mali i Thatë.

Bazilika e Linit është një faltore paleokristiane e ndërtuar diku në shekullin e VI-të. Nga arkitektura ajo është trikonkëshe dhe përbëhet nga naosi, baptisteri, atrium, dhe tre kapela të vogla, të cilat ndodhen në anët veriore, verilindore dhe jugore të naosit. Bazilika ka qenë e pajisur me ikonostas guri dhe dyshemetë e saj janë zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh, ku nuk mungojnë motivet floreale, nga fauna dhe ata gjeometrikë.

Kalaja e qytetit

Kalaja ndodhet në lindje të qytetit në një kodër që lartësohet 205 m mbi Pogradec. Ajo i ka dhënë edhe emrin qytetit, diku gjatë pushtimit bullgar në shekujt  IX-XI-të. Fjala Pogradec vjen nga sllavishtja, ‘’Nën Kështjellë’’, që ka kuptimin qyteti nën kështjellë. Kalaja ka patur si funksion kryesor kontrollin e gjithë rajonit përreth, duke funksionuar që nga shekulli i V pk deri diku në shekullin e XI-të. Sot prej saj ruhen një pjesë e vogël e mureve rethuese dhe të apasionuarit pas fotografisë artistike mund të bëjnë aty foto të mbrekullueshme të panoramës përreth duke përfshirë qytetin apo liqenin.

Pojska

Gjatë rrugës automobilistike Pogradec- Qafë-Thanë, ndodhet Pojska, vendi historik ku u zhvillua një beteja e 16 korrikut 1943, midis partizanëve shqiptarë të drejtuar nga komandanti Reshit Çollaku dhe forcave italiane të pushtimit. Këtë gjë e pasqyron edhe monumenti përkujtimor kushtuar dhjetë dëshmorëve të Pojskës.

Varret e Selcës së Poshtme

Gërmimet arkeologjike që nisën në vitin 1969nxorën në dritë objektet e para në kodrën e Gradishtës, e cila është banuar pa ndërprerje që nga periudha neolitike e deri në antikitetin e vonë. E ndodhur në lartësinë 1040 m mbi nivelin e detit, mbi fshatin Selcë e Poshtëme, qyteza antike kishte një sipërfaqe prej 6 ha dhe rrethohej me mure kuadratikë. Ajo mund të vizitohet sot për pesë varret monumentale të gdhëndura në shkëmb, të zbuluara nga arkeologët dhe që kanë arkitekturë tërheqëse dhe të veçantë.

Ura e Golikut

Ura e Golikut është përdorurnga këmbësorët dhe karvanet për të kaluar lumin Shkumbin. Ajo është ndërtuar diku në shekullin e XVIII-të, në vend të urës së mëparshme që ishte rrënuar nga koha. Ura përbëhet nga dy harqe me madhësi të ndryshme midis të cilëve ndodhet edhe një dritare për shkarkimin e ujërave. Objekti është 37 m i gjatë dhe ka një lartësi prej 7.5 m. E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç ura është funkionale edhe sot.

Guri i Kamjes

Guri i Kamjes është një monument natyre në krahinën e Mokrës, pranë fshatit Dardhas në lartësinë 1461 m. Nga larg ai duket si një kryqëzor lufte që sapo ka dalë në det. Korazioni siç quhet ndryshe veprimtaria e erës ka krijuar këtu një mbrekulli të natyrës. Masivi shkëmbor është një bllok me përmasa 100 gjatësi, 80 m gjerësi dhe një lartësi prej 70 m.

 

Pin It