Detyrat e prindërve kundrejt fëmijëve

Që fëmijët tanë të mund të rriten në mënyrë të përsosur, është kusht që edhe mjedisi ku rriten dhe edukohen të jetë i përsosur. Sigurisht, çdo fëmijë formësohet sipas mjedisit dhe, në një kuptim, konsiderohet fëmija i atij mjedisi. Në krye të ele­mentëve të mjedisit në fjalë vjen familja. Pastaj, shkolla. I treti, shokët dhe miqtë. I katërti, rrethi shoqëror i mësimeve dhe i studimit.

Edhe ushqimi i fëmijës me gjëra hallall, të fituara me të drej­të e në mënyrë legjitime, duke filluar nga periudha e pa­rë e for­mimit të tij në barkun e nënës, ka rëndësi të jash­tëzakonshme. Duhet ta dimë në mënyrë të prerë se, në peri­udhën e zhvillimit të fëmijës, një shkëputje në një ndodhi çfarëdo në të cilën jemi të detyruar të lidhemi pas Allahut, reflektohet edhe te fëmija si një rrethanë negative qoftë edhe përkohësisht, gjë që është nga dukuritë e shpeshta.

Ndjenjat që ushqejmë për fëmijët që po rrisim, men­dimet, fjalët, jeta ndjesore, sjelljet tona duhet të kenë gjith­monë për synim të bëhen shembull. Po deshëm që ata të rriten në mënyrë të përkryer, jemi të detyruar t’i kushtojmë jashtëzakonisht vëme­ndje kësaj veçorie. Për shembull, po dëshiruam që ata të falin namaz, duhet të falemi në sytë e tyre me kujdesin më të madh duke treguar me sjelljen tonë kufijtë e edukatës ndaj Allahut (xh.xh.). Duhet të themi gji­th­monë të drejtën duke u shmangur nga gënjeshtra. Po de­shëm që ata të mos thonë fjalë të papër­shtatshme, nuk du­het të përdorim në shtëpi asnjë fjalë të papër­shtatshme dhe në kujtesën e tyre nuk duhet të shkruhet asnjë fjalë e tillë. Po menduam që të bëhen të vyer, që të jetojnë të nder­shëm, që të jenë të ndjeshëm ndaj nderit të të tjerëve sa ndaj nderit të vet, duhet të bëjmë çmos që shembullin e kë­saj ata ta marrin në shtëpi duke u bërë ne heronjtë e parë të kësaj pune.

Një çështje të veçantë përbën tregimi fë­mijës i dhembshurisë, mëshirës dhe bamirësisë së Allahut (xh.xh.) që na ka ushqyer e rritur me të mirat e Tij. Duhet t’i tregojmë fë­mijës se si na ka ushqyer Allahu, si është kuj­desur për ne, si na ka dhënë dashuri dhe, duke i thënë, “Allahu është shumë i dhembshur, na mbron ne nga të gjitha të këqiat e fatkeqësitë”, të nxisim te fëmija ndjenjat e besimit, sigurisë dhe dashurisë ndaj Tij. Ne duhet t’ia bëjmë të qartë fëmijës se edhe kafshët më të vogla ushqehen me mëshirën e Tij.

Mënyra më me ndikim në procesin e mësimit dhe edu­kimit është tregimi dhe komunikimi me qëndrim, sjellje e gjeste. Rre­gullimi i përshtatshëm i jetës në shtëpi është pa­krahasimisht më me ndikim në komunikimin e një ideje dhe në edukimin e fë­mijës.

Në edukim, dhembshuria ka një vend të veçantë. Profeti si­llej me aq dhembshuri ndaj atyre që i kishte pranë e që i bënin shërbime të posaçme, saqë e linte në hije dashurinë dhe intere­simin prindëror!

 

Pin It